I.

Qenie, varr as frymë

Një shishe hermetike
grykëngushtë
lëfytgjatë
në murin prej argjile
në detin e ëmbël
në lëkurën me pore drite
në ballsam të largët egjipti
një një të miliontin yll
në çdo kristal
në çdo gur të çmuar.

Bima mugullon në terrin e tokës
në qullin e baltës
qenie, varr as frymë
sy i zbrazët
nga gjithë bukuria mbeti vetëm kjo
e prekshme e flakët dhe e pakuptueshme.

Seç po lebetitem po më dridhet buza
zëri im i djeshëm se ku u bë
amshim i zbrazët
si syri që më sodit me plotëninë e trilluar
i ndritshëm e i thatë si mermer i zi
dashuria e të çmendurit nga frika
mes të gjithëfuqishëmve
një gogol druri mbuluar me të tharat e vjeshtës
një leckë e një enë e ndryshkur
ca pulla sedefi.

Në shesh i nxora gjithë rekuizitat e parajsës
e syri i zbrazët në roje sodiste
dhe përgjonte pamundësinë time të mundshme

II.

U mësova të dua

Në duart e mia të ftohta me duart e mia

Trupin tënd e preka të ftohtë në argjilë

Largimin tënd akull dhe gazi m’u bë helm

Dimrin tonë të ftohtë e ngurosa në qepallë

E mapësuar dora ime e hapi kuvelinë

E dimrit

Dhe erdhi pranvera e dashurisë ndaj njeriut.

Gazi i tij pa kripë kripa e tij pa det e argjilë

Portofoli imë rëre gërshetat e tij kallam

Duart e mia të ftohta

Trupi i tij ujë

Dhe letër e verdhë.

Recitonte në sallën e madhe të zbrazët të ftohtë

Rendi i katërt ishte plot

Dyshemeja me lëvore gështenjash

Këndet e larta rrjetë merimangash

E dikush tha. Po cirresh kot!

Duart e tij të ftohta e sytë e tij të ngrohtë!

Pikëllimi s’ia kishte frikën

Ai dukej si kuvertë anijeve në detin Marmara

(nuk e di nga m’erdhi ky përfytyrim)

Ashtu dukej. Si kanjushë.

I verdhë. I ftohtë e i dashur

Mbi të gjithë që dashurojnë.

Në duart e mia të ftohta

E kam ndjerë shtrëngimin e dorës si prush

Në largimin e tij nuk kishte dhera të huaja

As shtigje që përsëri e sjellin aq të përhitur

Të dashur

Si fjalët e para si deti i ri si qyteti

Në kartëpostale.

III.

Do kthehem nënë

Sa fort më mundon
Vetmia, o nanë
E votër braktisa një ditë
N’vendlindje ishte vjeshtë
Tani vonë
Të presin të korrat e brengat

N’mendime më ke tretur
Tani, o nanë
Për birin që të la në vetmi
Shikim imi kah dera, kah dera më përgjon
Trokitje të lehta dëshiron.

Ktheu shpejt më ke pas thënë
Se brengat më kanë molisur
Të presin sokët në varr nën bli
Porositë e babit tënd

Kaluan pranvera dhe vjeshta o nanë
Që kur të ndjell veç një kthim
Nëse vetë nuk do të mundem
Do i them birit tim
Në vendlindje të shtrojë çdo gëzim

Të lutem jeto me shpresa o nanë
Se një ditë dikush do të trokllojë
Në atë votër ku së pari zëri im jehoi
Andej nipat do të ngrej shtëpinë. 

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *