Bojkoti i auditoreve bashkë me protestën e pedagogëve shënuan sot ditën e pestë. Procesi mësimor ka vijuar në pak auditore të cilat duket se nuk i janë përgjigjur thirrjes për bojkot, por pjesa dërmuese e auditoreve vijojnë të jene ende bosh. Pedagogët protestues shprehën sërish vendosmërinë për vazhdimin e bojkotit deri në marrjen në shqyrtim dhe plotësimin e kërkesave të tyre.
Sot ata u mblodhën sërish para Korpusit të Politeknikut prej ku paralajmëruan përshkallëzimin e mëtejshëm të protestës me thirrjen e një proteste kombëtare ditën e hënë në orën 11:00. “Të hënën në orën 11:00 protestë kombëtare, ku të gjithë pedagogët dhe studentët i ftojmë të jenë këtu dhe të diskutojmë. Le të kthehet ky peticion si një nismë për ndryshimin e situatës në universitete. U kërkojmë autoriteteve të dekanateve që të mbledhin Asambletë dhe të vendosin mbi mënyrën si ata do mbajnë qëndrim ndaj peticionit. Kërkojmë nga përfaqësuesit e studentëve të mblidhen dhe të diskutojnë për realizimin e këtij peticioni që kërkesat të kenë impakt të përbashkët si te pedagogët ashtu dhe tek studentët” – u shpreh kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi.