Kryeministri Edi Rama ironizoi kundërshtarët e tij politik gjatë takimit përmbyllës të fushatës elektorale në bashkinë e Durrësit duke thënë se demokratët po e detyrojnë që të marrë dhe drejtimin e së djathtës për ta rindërtuar nga e para.
“Demokratëve u bëj thirje të votojnë kryebashkiakët tanë. Vota është për të marrë në punë dhe për të mbajtur në punë njerëzit e duhur për t’i shërbyer këtij projekti të madh transformimi. Është arsyeja pse unë kam ardhur në Durrës. Dëgjoni që unë vij në Durrës sepse nuk është mirë Emiriana me sondazhet. Këtu bëhet fjalë për të ardhmen. Sa për sondazhet dhe rezultatin që duan ta dinë se si do dalim ne në Durrës, të marrin të numërojnë sa njerëz ka këtu sot ajo do të jetë diferenca e rezultatit të dielen. Mijëra e mijëra vota diferencë mes Emiriana Sakos dhe atij që nuk po e zëmë fare në gojë se kemi fol dhe i dimë të gjitha. Këtë hapje them mos ta prishim me turistë të dështuar të politikës së vjetër që janë gjithmonë e më pak. Jam i bindur se të dielën do të shikohet më qartë se si jo shumica që nuk i ka dashur, por edhe ajo pakica që ka mbetur pas tyre do t’i braktisin. Do më detyroni ta marrë unë PD-në dhe ta ndërtojë nga e para.” – tha Rama.