Ministrja e e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi se gjatë qëndrimit në Bruksel ka takuar dhe homologun e saj grek, Nikos Dendias i cili ka shfaqur interesim rreth arrestimit të Fredi Belerit, dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit dhe i vënë nën akuzë nga SPAK-u për blerje të votive në Himarë.
Xhaçka u shpre se i ka bërë të qartë homologut grek se çështja në fjalë i përket vetëm organeve të drejtësisë dhe nuk ka asnjë ndikim politik në trajtimin e saj nga ana e qeverisë shqiptare.
“Kolegu Dendias paraqiti qëndrimin e tij dhe unë bëra shumë të qartë qëndrimin tonë se kjo nuk është as çështje politike dhe as çështje e të drejtave të njeriut. Është çështje e respektimit të ligjit për çdo qytetar shqiptar. Është çështje e luftës kundër fenomenit të blerjes së votës, si një prej rekomandimeve kryesore të OSBE-ODIHR. Ashtu si Shqipëria, edhe Greqia në respekt të ligjit kreu arrestime pikërisht për akuza për blerje vote. Pra, kemi të bëjmë me një çështje që i përket gjyqësorit dhe ku nuk ka vend për ndikime politike nga brenda e jashtë Shqipërisë. Për pavarësinë e gjyqësorit ne jemi investuar në mënyrë serioze sikundër është investuar edhe Bashkimit Evropian dhe vendet anëtare.” – tha Xhaçka.