Gazetari dhe publicisti, Shkëlzen Gashi risjell disa nga prognozat politike të Adem Demaçit në raportet me amerikanët.
Gashi shkruan në fejsbuk se Demaçi ishte këmbëngulës në nevojën e organizimit të brendshëm duke iu kujtuar gjithnjë amerikanëve se synimi i shqiptarëve të Kosovës ishte të ishin shtet dhe komb i lirë, si vetë amerikanët.
“Pothuajse krejt vitin 1996 Adem Demaçi e kaloi duke u kërkuar shqiptarëve që të lëviznin për t’i treguar botës se jo veç me fjalë e vota, po edhe me mish e shpirt janë të gatshëm të sakrifikojnë për lirinë e tyre. Sipas Demaçit, fati ynë është në duart tona:
«Faktori i jashtëm është shumë i rëndësishëm për ne, meqë jemi popull i vogël, por ai nuk është i rëndësisë qenësore, sepse bota nuk i rregullon punët tona. Prapa çdo veprimi politik fshihet interesi».
Në këtë kohë, Demaçi e parashihte vizitën e mundshme të ndonjë përfaqësuesi të lartë të qeverisë amerikane të kohës, siç ishin Christopher Hill a Richard Holbrooke, të shoqëruar me farë propozimi për autonomi në stilin «ja merreni, ja lëreni». Ndaj ai kërkonte organizim të shqiptarëve në mënyrë që përgjegjja të mund të ishte:
«Zotërinj, ndoshta për ju kjo është e mirë dhe e mjaftueshme, por ne jua lakmojmë lirinë tuaj dhe do të dëshironim të ishim të lirë, sikur ju. Mos na pengoni në përpjekjet që edhe ne të jemi të lirë. Ju na e keni rezervuar vendin e një kolonie, por këtë ne nuk mund ta pranojmë».” – shkroi Gashi në fejsbuk.