Nga Sebastian Zonja

Kryeministri Edi Rama e ka vendosur në pozitë tejet të vështirë homologun e tij në Prishtinë Albin Kurti.
Kreu i qeverisë ka bërë të ditur në një konferencë për media se i ka përcjellë një draft për Asosacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë presidentit të Francës Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz.

“Jam këtu për t’ju bërë të ditur një fakt të panjohur më parë. Dje ua kam përcjellë Scholzit dhe Macronit një draft të Asosacionit, për të cilin kam vënë në dijeni edhe Charles Michel dhe palën amerikane”, tha Rama gjatë konferencës.

Rama tha më tej se dokumenti është konfidencial, por u shpreh i bindur se është “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionin dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”.

Me gjasë, amerikanët kanë përgatitur draftin e Asosacionit për Kosovën dhe zgjodhën Tiranën për ta kumtuar këtë lajm. Nga sa dëgjuam në konferencën e kryeministrit, Berlini dhe Parisi janë dakord.
Afërmendsh, nga sa dëgjuam, nuk mundet që prej kohësh të punohet për një projekt kaq të ndjeshëm me ekspertë të lartë ndërkombëtarë (amerikanë dhe evropianë) dhe shërbimet sekrete të këtyre vendeve të mos jenë në dijeni.

Propozimi amerikan për Asosacionin me gojën e Ramës është një moment që duhet marrë parasysh nga Albin Kurti. Nëse me një dorë po e fshikullojnë, me tjetrën po i japin një rrugëdalje.
Historia politike ka treguar se kur amerikanët e kanë dashur diçka me ngulm, e kanë realizuar me kryeministër teknik. Në Shqipëri i dimë mirë këto gjëra. Jo se jemi më të zgjuar, por, si i thonë një shprehjeje, eksperienca e plakut – të qenit shtet tash e një shekull dhe plot me tallaze çdo dekadë (luftë, krizë, izolim, internime…)
Mund të flasim gjatë për sovranitet dhe moral, dy parime të rëndësishme në politikë, por, nga ajo që kemi parë përgjatë historisë së shumë vendeve nëpër botë, duhen bomba atomike dhe shumë armatim e aleanca ta ruash sovranitetin përball të mëdhenjve.

Retorika e Albin Kurtit se duhet demokratizuar Serbia për të zgjidhur situatën në Ballkan është shumë e drejtë dhe duhet mbështetur. Por pyetja që duhet të shtrojmë është – sa duhet ta presim demokratizimin e Serbisë për ta çuar shtetësinë e Kosovës në OKB dhe instanca të tjera ndërkombëtare?

Sot, të vetmit aktorë të rëndësishëm ballkanik që mendojnë se mosmarrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit mund të zgjidhen janë amerikanët. Nëse për çështje të tjera që kanë të bëjnë me Krimenë apo Moldavinë dhe Turqinë, amerikanët dhe evropianët kanë optika të ndryshme, në Ballkan ndajnë të njëjtën qasje. Quinti ka të njëjtën qasje për Marrëveshjen e Ohrit dhe situatën në veri.
Të jetë për Brukselin, kjo çështje nuk zgjidhet asnjëherë. Gjermanët që i kemi shumë aleatë dhe francezët pak më pak, nuk kanë ndonjë interes të shtuar sa ai amerikan për t’i dhënë udhë zgjidhjes së trazirave ballkanike. Përkundrazi, Bashkimi Evropian ka kohë që e ka braktisur Ballkanin dhe kjo duket edhe tek investimet, po ashtu tek grantet apo kreditë që jepen.

Në këtë situatë të nderë gjeopolitike, duam apo s’duam, aleatë të vetëm kemi amerikanët. Urojmë që bisedimet për Asosacionin të mos kthehen në një Dejton 2, ku Republika Srpska brenda Kosovës të minojë unitetin shtetar të saj! Sot, pas kaq vitesh, amerikanët e kanë kuptuar se kanë krijuar një minë me sahat në Bosnje dhe një kukull të Putinit në Ballkan, Milorad Dodikun. Shpejtësia për të mbyllur luftën prodhoi një shtet jofunskional si Bosnja.
Albini nuk po ngutet për Asosacionin, sepse e di që një pjesë e rëndësishme e karrierës së tij politike është ngritur mbi kundërshtimin e këtij projekti, ndërkohë që legjitimitet të shtuar në protesta i dha mbështetja e Ramush Haradinajt si ish – luftëtar i UÇK-së dhe personifikimi i tij, pak a shumë, ngjashëm me heroin legjendar Adem Jashari, por që rron ende mes nesh.

Në rast tërheqjeje të Kurtit, sërish pasoja është e njëjtë. U votua për t’i dal Zot kurtheve të këtilla të diplomacisë ndërkombëtare, ndërkohë që kur vjen puna për të marrë vendime tërhiqet. Kurti ndodhet mes dy zjarresh – hip se të vrava, zbrit se të vrava!

Me një kryeministër të pakorruptuar dhe që qëndron kryelartë përball aleatëve e jo më Beogradit zyrtar, situata mund të marrë kahje interesante në ditë dhe javët në vijim.
Fatkeqësisht, si përherë, Tirana zyrtare është më e përçarë se kurrë. Jemi fiks ashtu siç na don hasmi, sikur t’i ketë gatuar me dorë hasmi klanet që përplasen këtu.
Me sytë nga Kosova, se, fatkeqësisht, në Tiranë kanë vdekur dhe i kanë heshtur politikanët shahistë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *