Gazetarët dhe punonjësit e mediave kanë qenë cak i sulmeve nga grupet e protestuesve serbë në Leposaviq të premten. Ata iu nënshtruan shok-bombave, goditjeve me gurë edhe sulmeve fizike. E përderisa ngjarja po zhvillohej, pak metra larg tyre, pjesëtarët e KFOR-it nuk reaguan
Vizita e ministrit të Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, te kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, nxiti përshkallëzimin e situatës edhe ashtu të tensionuar në këtë komunë.- raporton Koha.net.
Krasniqi e vizitoi Hetemin paraditen e së premtes, me qëllim kompletimin e kabinetit të kryetarit.
E para objektit të Komunës po qëndronin me dhjetëra protestues, përfshirë edhe përfaqësues të subjektit politik serb, Lista Serbe.
Më pas u dhanë sinjale se Krasniqi do të largohej. Përfaqësuesit e KFOR-it, që po qëndrojnë për tash e sa javë para objektit, i ftuan dy nga protestuesit në oborrin e Komunës për ta “negociuar” largimin në qetësi të tij – vijon Koha.
Por përderisa po zhvilloheshin bisedime, vetura e blinduar e ministrit u godit me ngjyrë
E përfaqësuesit e protestuesve, tek i kapërcyen rrethojat e oborrit, dhanë shenjë se ku duhej të pozicionoheshin për të sulmuar. Vetura që do ta dërgonte ministrin në Prishtinë u ofrua edhe më afër dhe protestuesit filluan brohoritjet. Kur kaloi pranë tyre, u godit edhe me gurë e sende të tjera të forta – e mbyll raportimin Koha.