Policia e Kosovës njoftoi se në orët e para të ditës së sotme ka arrestuar një tjetër serb në veri të vendit si të dyshuar për sulmet ndaj gazetarëve shqiptarë në Leposaviq.
Në njoftim thuhet se është arrestuar shtetasi serb me inicialet U.V. me vendbanim në një fshat të komunës së Leposaviqit, i cili dyshohet për përfshirje në një rast sulmi ndaj gazetarëve.
“Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë. Angazhimi dhe përkushtimi i Policisë së Kosovës, do të vazhdojë për ruajtje të rendit dhe sigurisë publike, për sundim të ligjit dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar që bien në kundërshtim me rendin dhe ligjin” – thuhet në njoftim.