Të dhënat nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacioneve tregojnë se Shqipëria ka kosto më të larta të shërbimeve celulare në raport të ardhurat, qoftë krahasuar me nivelet mesatare europiane, qoftë me shumicën e vendeve fqinje.
Metoda kryesore që përdor ITU për të vlerësuar sa të përballueshme janë shpenzimet e komunikimit është raporti mes çmimit të disa shportave standard të komunikimit, në raport me të ardhurat bruto për frymë.
Për komunikimin celular, ITU i referohet katër shportave bazë.
Shporta e parë, ajo e përdorimit të ulët të telefonit celular (70 minuta+20 SMS në muaj) në Shqipëri kushton sa 1.09% e të ardhurave mujore për frymë, nga 0.41% që është mesatarisht ky tregues për Europën. Mes vendeve të Rajonit të Ballkanit Perëndimor, vetëm Bosnjë-Hercegovina e ka këtë tregues në nivele më të larta, me 1.86% të të të ardhurave mujore.
Shporta e dytë, ajo e internetit nga telefoni celular (2GB në muaj) në Shqipëri kushton sa 2.17% e të ardhurave mujore për frymë, nivel dukshëm më i lartë krahasuar me të gjitha vendet e rajonit dhe me mesataren europiane prej 0.42%.
Shporta e tretë, ajo e përdorimit të lartë të shërbimeve zanore dhe të internetit nga celulari (140 minuta, 7 SMS dhe 2 GB në muaj) në Shqipëri kushton sa 1.45% e të ardhurave për frymë, nga 0.59% që është mesatarja e BE-së. Për këtë shportë, Shqipëria është vendi i tretë më i shtrenjtë në Rajon, pas Bosnje-Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut.
Shporta e katërt, ajo e përdorimit të ulët të shërbimeve zanore dhe të internetit nga celulari (70 minuta, 20 SMS dhe 500 MB në muaj) në Shqipëri kushton sërish sa 1.45% e të ardhurave për frymë, nga 0.5% që është mesatarja e BE-së. për këtë shportë, Shqipëria është vendi i dytë më i shtrenjtë në Rajon, pas Bosnje-Hercegovinës.
Arsyeja pse Shqipëria ka kosto të njëjtë si për shportën e përdorimit të lartë, edhe atë të përdorimit të ulët, mund të shpjegohet me faktin se përgjithësisht njësitë e komunikimit ofrohen me një numër të kufizuar të paketave mujore standarde, ndërsa tarifimi normal për njësi pothuajse nuk përdoret më prej vitesh nga konsumatorët.
E vetmja shportë ku Shqipëria ka nivelet më të përballueshme në rajon, është ajo e internet me linja fikse (5 Gb në muaj). Në Shqipëri kjo shportë vlerësohet se kushton sa 1.27% e të ardhurave mujore bruto për frymë. Megjithatë, edhe për këtë tregues Shqipëria ndodhet poshtë mesatares europiane prej 1.13%.
Megjithëse për shumicën e shportave ka kosto më të larta krahasuar me pjesën tjetër të Euuropës, vitin e kaluar kostot pësuan rënie të ndjeshme për të gjitha shportet, krahasuar me vitin 2021.
Duke analizuar të dhënat e ITU, AKEP vlerëson se treguesit e mësipërm për Shqipërinë për tre shporta rezultojnë me vlera më të ulëta se objektivi i përballueshmërisë prej 2% i Komisionit Broadband të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim të Qëndrueshëm të Internetit, ndërsa janë më të larta për dy shporta.
Gjithashtu, Shqipëria plotëson tashmë dhe disa prej objektivave të vendosura nga ky komision për universalizimin e aksesit broadband si, për numrin e përdoruesve të internetit, apo barazinë gjinore të përdoruesve të internetit.
Burimi: Monitor.al