Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nga foltorja e parlamentit kërkoi llogari nga dy partitë kryesore opozitare, PDK e LDK, lidhur me refuzimin e tyre për të mbështetur një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit Albin Kurti.
Haradinaj theksoi në fjalën e tij se këto parti duhet të kuptojnë se politika e Kurtit po e shkëput Kosovën nga aleatët e saj.
“A ka dikush në këtë sallë prej jush që nuk e di që jemi duke e humbur besimin e aleatëve tanë ose që e kemi humbur. Unë nuk po e kuptoj më këtë parlament, i ka humbur vlera këtij parlamenti. Vijmë këtu sikur nuk ka ndodhur asgjë. I ka humbur serioziteti. A ka dikush në këtë sallë ose shqiptar që nuk e di që kanë filluar ndëshkimet ndaj Kosovës si politike, si ekonomike, si në siguri? Nëse e kemi humbur besimin e kanë filluar ndëshkimet, a forcohet Kosova kundër bandave në veri? Kush është ai njeri që nuk di ta bëjë këtë matematikë kaq të thjeshtë për vendin e vetë. E kemi humbur besimin, kanë filluar ndëshkimet dhe jemi dobësuar përballë të gjithëve.” – është shprehur Haradinaj.