Ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçari profesori i njohur shqiptar i kaligrafisë, Shyqyri Nimani, i cili është dhe hartuesi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Nimani ishte piktor, dizenjues grafik dhe pedagog. Ai njihej nëpër hapësirat shqiptare për kaligrafimin me dorë në pergamen të Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008.

Nimani u lind në Shkodër më 6 maj 1941 në një familje me prejardhje nga Gjakova të shpërngulur para Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, i biri i Ramiz Shyqri Nimanit dhe Hatmane Batushës; i ati kishte qenë oficer i Mbretërisë Shqiptare. Shkollën e Mesme të Artit e kreu në Pejë me sukses të shkëlqyeshëm. U diplomua në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd në vitin 1967, me notën maksimale 10.

Studimet pasuniversitare i kreu më 1969 në të njëjtën Akademi dhe më pas punoi si profesor në Fakultetin e Arteve të Prishtinës. Në vitet 1976-1978 ka qëndruar në Japoni si bursist i qeverisë japoneze për hulumtim artistik. Në vitet 1979-1989 ka qenë drejtor i Galerisë së Arteve të Kosovës.

Ka qenë gjithashtu dekan i Fakultetit të Arteve nga viti 1991-1994. Merrej me pikturë, grafikë, dizajn dhe me disiplina të tjera të arteve figurative. Ka botuar monografi për artin mesjetar dhe bashkëkohor shqiptar. Ka përkthyer edhe libra nga gjuhë të huaja./Euronews Albania

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *