Në një intervistë për gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ripërsëriti qëndrimin se Kosova nuk mund të lejojë formimin e një Asosacioni të komunave me shumicë serbe me pushtet ekzekutiv për këta të fundit, pasi kjo do të cënonte kushtetutën e vendit.
“Duhet të njihet kushtetutshmëria e Republikës sonë. Asociacioni nuk mund të ketë pushtet ekzekutiv dhe nuk mund të krijohet nivel shtesë i qeverisjes. Por sapo përmendet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, zoti Vuçiq nuk dëshiron të dëgjojë asgjë për të.” – tha Kurti.
Kurti u pyet dhe lidhur me komentet e emisarëve perëndimorë që e cilësojnë atë si partner të vështirë duke u shprehur se ai nuk është kokëfortë, por parimor.
“Nuk mendoj se jam kokëfortë, jam parimor. Politika nuk mund të shihet e izoluar nga etika dhe vlerat.”- shtoi ai.
Kurti u pyet gjithashtu dhe për presionin e shtuar ndaj Kosovës krahasuar me presionin minimal që ushtrohet ndaj Serbisë. Sipas Kurtit, partnerët kanë pak pritshmëri nga Serbia dhe për rrjedhojë çdo veprim i saj mbivlerësohet në funksion të lëshimeve me idenë së do arrijnë të krijojnë një shkëputje të Beogradit nga Moska.
“Kjo është arsyeja pse çdo gjest pozitiv i Beogradit është i mbivlerësuar dhe i fryrë. Në të njëjtën kohë, ata kanë shpresa të mëdha për Serbinë në planin afatmesëm. Një politikë e tillë krijon probleme sigurie për të gjithë fqinjët e Serbisë.” – vijoi Kurti.
Kreu i ekzekutivit të Kosovës sqaroi se zgjidhja më e pranueshme vjen me njohjen e Kosovës nga Serbia dhe pranimin nga ana e kësaj të fundit të krimeve që ka kryer ndaj shqiptarëve gjatë viteve 1998-1999.
“Nuk mund të ketë besim të plotë derisa Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe derisa nuk përballet me krimet që ka kryer gjatë luftës.” – u shpreh Kurti./ Besmir Lushaj