Janë liruar pas 12 ditësh 3 efektivët e Policisë së Kosovës të cilët u rrëmbyen në territorin e Kosovës nga njësitë e ushtrisë serbe.
Lirimi i tyre ishte kërkuar me insistim nga faktori ndërkombëtar, ndërkohë menjëherë pas këtij veprimi, Beogradi zyrtar ka dalë më një propozim prej 4 pikash për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Serbia kërkon organizimin e zgjedhjeve të reja në komunat me shumicë serbe dhe garantimin e pjesëmarrjes së serbëve në këtë proces.
Po ashtu, kërkohet tërheqja e Njësisë Speciale të Kosovës nga veriu, ndërsa kërkesa e panegociueshme për Serbinë mbetet themelimi i menjëhershëm i Asosacionit të komunave me shumicë serbe.
Pajtim për organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës pati dhe nga kryeministri i vendit, Albin Kurti pas takimit të fundit me emisarët europianë Borrel dhe Lajçak në Bruksel.
Kurti e kushtëzoi mbajtjen e zgjedhjeve me largimin e grupimeve kriminale nga veriu, ndërsa Kosova vijon të ketë një qëndrim të qartë për Asosacionin duke refuzuar krijimin e një forme autonomie për serbët të ngjashme me Republika Srpska në Bosnje.