Nga Lutfi Dervishi

Teksa po mbllaçiste bananen e fundit për vaktin e drekës, majmunit Kiko i bëri shumë përshtypje titulli me shkronja kapitale i një artikulli që i referohej burimit zyrtar të statistikave: INSTAT. 

Vetëm gjatë mandatit të dytë të qeverisë aktuale numri i gjedhëve u ul me 200 mijë krerë, numri i të imtave me 800 mijë dhe ai i shpendëve me 1.5 milionë?! Ç’bëhet në këtë vend?! Mirë njerëzit që po ikin ditën por edhe kafshët po na ikin natën? Në fillim Kiko fajësoi instiktin e gazetarëve që fokusohen vetëm të anët negative. 

“Pse nuk i është dhënë me shumë hapësirë faktit që numri i gomerëve është rritur?”, – pyeti Kiko me një shprehje të stampuar mbi fytyrë thua se sapo kishte parë një elefant duke fluturuar. 

Megjithatë, i mësuar që të mos bëjë si njerëzit të cilët nxitojnë të thonë fjalën e fundit qysh në fillim, Kiko ju drejtua Chat-GPT për të kuptuar më qartësisht se pse Shqipëria po vuan nga emigrimi i trefishtë: I njerëzve, i  kafshëve dhe i shpendëve.

Kiko kërkoi 10 arsyet e dramës dhe brenda një minutës mori përgjigjen:

“Ka shumë arsye për “largimin e trurit” nga Shqipëria. Duhet kuptuar që në një ekonomi tregu, është raporti kërkesë ofertë që përcakton shumë gjëra: 

Ja edhe 10 arsyet:

1. Çobenët po  i merr Greqia; pavarësisht ngritjes së Akademisë së barinjve.

2. Mjekët dhe infermierët po i josh Gjermania;

3. Kuzhinierët po i gllabëron Italia;

4. Kamionistët i tërheq Franca.

5. Modelet i  thith Dubai;

6. Kujdestarët e hashashit i kërkon Spanja;

7. Picierët po i fton Kroacia;

8. Kuksianët po i tundon Londra;

9. Korçarët kanë lindur për Amerikën;

10. Politikanët po i thërret SPAK-u;

Kiko krojti kafkën e vogël dhe pyeti Chat-GPT nëse kishte ndonjë kategori që nuk do të lëvizte nga vendi i shqiponjave, por kur lexoi përgjigjen u bë pishman për pyetjen.

“Gjithologët do të qëndrojnë, nuk ka asnjë tundim që i tund nga studiot televizive!”

“-O Zot!” -klithi Kiko, “a ka ku shkon më keq se kaq?”. 

Në momentin që mendoi më të keqen Kiko mbylli gojën me të dy putrat dhe u lebetit nga ideja se një ditë ajo që çoi ndërmend mund të bëhej realitet: 

“Po sikur NATO të marrë Edi Ramën ku do të mbytemi vallë pastaj?!”

Dielli i qershorit i ra Kilos  mbi krye:  e përvëloi, por edhe e zgjoi nga mendimet egoiste. 

“Shqipëria është e vogėl, bota është e madhe! Nevoja ndërkombëtare për lider të vërtetë si ai duhet të kapërcejë nevojat tona banale lokale!

Njerëzimi ka nevojë për të, sot, nesër do të jetë vonë!”

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *