Policia Kufitare e Durrësit njoftoi se kreu një operacion shpëtimi te Kepi I Rodonit ku 13 turistë kishin mbetur në det të hapur pasi skafi me të cilin lundronin kishte pësuar defekt.
Njoftohet se operacioni ka zgjatur për disa orë, ndërkohë që 6 nga 13 turistët e shpëtuar ishin të mitur.
“Rreth orës 22:30 të mbrëmjes së djeshme, shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Shëngjin janë njoftuar se 13 shtetas, mes tyre dhe të mitur, kishin mbetur në det, në afërsi të kepit të Rodonit, pasi mjeti skaf me të cilin lundronin për qëllime argëtimi, kishte pësuar defekt.
Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Shëngjin dhe roja bregdetare janë nisur me mjet lundrues, drejt vendit të sinjalizuar.
Si rezultat i operacionit të shpëtimit dhe evakuimit që zgjati deri në mesnatë, drejtuesi i mjetit lundrues skaf dhe 12 shtetasit në bord, 6 prej të cilëve shtetas të mitur (pushues nga Shqipëria, të afërm të njëri-tjetrit), u nxorrën në breg, në gjendje të mirë shëndetësore. Gjithashtu, mjeti lundrues skaf që kishte pësuar defektin, u rimorkua dhe u dërgua drejt portit të Durrësit.” – njofton policia.