I

Të kam dashtë

Të kam dashtë…
Dashunia nuk ka të tashme.
Dashunia nuk ka të ardhshme.
Ajo ka vetëm të kaluemen.
Të kam dashtë…

Dashunia asht e lirë si dorë mbi ranë.
Dashunia asht e verbët si dorë e zhvoshkun nga lkura.
Dashunia asht e çmendun si dorë mbi mish.
Dashunia vdes kur i mbarohen fjalët.
Dashunia vdes kur i shërohen plagët.
Dashunia fillon prap prej fillimit…

Dashunia i beson të gjitha.
Dashunia i shpreson të gjitha.
Dashunia i “ha” të gjitha.
Dashunia i fal të gjitha.
Dashunia banon te duert…

Të kam dashtë…
Dashunia nuk ka të tashme.
Dashunia nuk ka të ardhshme.
Ajo ka vetëm të kaluemen.
Të paskam dashtë, pra…

II

Dyshi

Isha i marrë kur besoja
Se dashunia vjen.
Jo. Dashunia ikë,
Ikë gjithmonë.
Dashunia s’ka ftyrë.
Ka vetëm shpinën.
Ajo jeton në shtjerrje gjithëherë,
Jeton në zgrip ndonjiherë.
Si jeta.
Jeta e vogël, (la vie mineure)
Që zgjat.
Kjo jetë e vogël, e bame prej ne të dysh.
Dhe prej gjithë të dyve të tjerë që janë.
Dyshi.
Numri ma i madh i botës.
I pamatë.
Botë e futun në gjoks.
Botë që shtjerret.
Botë që rri në zgrip.
Botë që zgjat.
Prandej isha i marrë kur besoja
Se dashunia ikë.
Jo, dashunia vjen.
Kthehet e vjen prap.
Ndoshta?

III

Dashunia fillon prej gjysmës

Gjaku yt duhet të ishte kohë
dhe koha jote duhet të ishte zemër.
Ti më dhe aq pak,
prandej unë jetova kaq pak.
Nëpër pyllin me pemët e ditës
drujt ishin hija
dhe kujtimi
ose KUJTIMI
nji variçe në qiellin tim.
E përse duhet të vdes?
Ndër kodra bari asht i naltë.
Vetëm ti je e pavdekshme,
si gurët, si malet,
si monotonia e stinëve.
Do të vish, do të ikësh.
Ti do të kesh kambë të kuqe,
kpucë të bardha.
Ah, ta kisha edhe unë nji ijë prej gize!
Ti që në jetën time u fute
gjanë e gjatë,
si damar lagshtine
në nji mur prej ashti.
Ti e pavdekshme
e unë nji ditë do të vdes
s’e di se si
s’e di se pse
s’e di se sa
e syni im
qysh tash
shtërzen nji lot të fortë
si breshën.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *