Ish-komandanti i zonës operative të Llapit gjatë luftës së Kosovës, Rrustem Mustafa u paraqit si dëshmitar në procesin ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë.
Mustafa iu përgjigj pyetjeve të prokurorëve rreth ndalimeve të personave të ndryshëm që UÇK-ja kryente gjatë periudhës së luftës.
Mustafa theksoi se këto ndalime nuk kryheshin me qëllimë kriminale, por vetëm në funksion të strategjive të luftës dhe se numri i të ndaluarve ka qenë shumë i vogël.
“Është paraqitur rasti se ku po ndodh ngecje, ku ka ndërhyrje nga këta persona dhe janë marrë aty për aty ato vendime, janë të çastit, nuk është se ne kemi pasur një strategji për ndjekjen e tyre. Dhe nuk janë shumë këta, gjatë gjithë luftës është numër i vogël i këtyre njerëzve. Nuk ka pasur proces, thjesht ndalim për të mos dëmtuar misionin e UÇK-së.”- ka thënë ai.
Mustafa u tha prokurorëve se komunikatat e UÇK-së kishin përmbajtje propagandistike siç ndodh në një luftë për të forcuar radhët dhe rritur entuziazmin në radhët e popullsisë.
“Komunikatat kanë qenë edhe me një dozë propagandistike për UÇK-në për me forcu prezencën dhe angazhimin tonë për lirinë e vendit.” – shtoi Mustafa.