Skënder Gjinushi po kërkon një mandat të dytë në krye të Akademisë së Shkencave, por për deputetin socialist, Petro Koçi, kjo nuk mjafton.
Deputetët Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj, i kanë dërguar një letër kryetares së Komisionit të Edukimit, Flutura Açka, ku kërkojnë që të miratohet të hënën vetëm amendamenti që lejon kryetarin e Akademisë te kandidojë për një mandat të dytë, përfshi edhe heqjen e kufizimit të moshës, 75-vjeç.
Të turpshme e konsideroi këtë kërkesë akademiku Artan Fuga që ironizoi duke shkruar se Gjinushi duhet të qëndrojë në detyrë deri në moshën 750 vjeçare.
“Deputetët Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj, sikurse marr vesh nga shërbimet e sekretarisë të Kuvendit, paskan kërkuar që nga projektligji që kanë dorëzuar prej muajsh për akademinë e shkencave, të hiqen gjithë nenet që kërkojnë kohë për t’u shqyrtuar dhe të lënë vetëm nenet që kërkojnë që kryetari dhe zëvëndëskryetari i Akademisë së Shkencave të kenë të drejtë të rizgjidhen dhe të jenë në detyrë edhe pas 75 vjec deri në 750 vjeç!
Te votohet në Komisionin e Medias dhe Edukimit të hënën! Para marsh!
Gjithë të tjerat gjysmagjelit nuk i interesojnë fare!
Të shohim a do ta bëjë Kuvendi i Shqipërisë këtë turp!” – shkroi ai.