Të paktën 153 persona u vranë ndërsa një turmë e madhe u derdh në një lagje qendrore të kryeqytetit të Koresë së Jugut për festimet e Halloween-it të shtunën në mbrëmje. Viktimat u shtypën për vdekje gjatë një rrëmujë mes të rinjve për festimet e Halloween-it në një nga zonat më të populluara të Seulit.
Zyrtarët kanë përditësuar numrin e konfirmuar të vdekjeve në 153, ndërsa dhjetëra të tjerë raportohen të plagosur.
Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-Yeol shpalli një javë zie kombëtare duke e konsideruar këtë ngjarje si ndër më tragjiket e ndodhura në Korenë e Jugut. “Një tragjedi dhe fatkeqësi që nuk duhej të kishte ndodhur në zemër të Seulit.” – tha presidenti korean.
Një dëshmitar okular i tha Agjencisë së Lajmeve “Yonhap” se kishte parë se si pjesa e përparme e turmës ishte përmbysur ndërkohë që në panik e sipër, njerëzit kishin tentuar të largoheshin duke shtypur njëri-tjetrin.
Autoritet koreane raportojnë se shifra prej 153 të vdekurish ende nuk është përfundimtare.