Ish-ministri i Financave, Arben Malaj në një intervistë për gazetën Panorama theksoi se rritja e pagave të deputetëve ishte goditje e drejtpërdrejtë ndaj shtresës së mesme dhe shtresave të varfra në vendin tonë.
Sipas Malajt, këto politika vetëm e thellojnë pabarazinë dhe hendekun social në një ekonomi si ajo shqiptare që lundron mes korrupsionit dhe informalitetit.
“Problemi nuk qëndron tek rritja e pagave, por tek madhësia e rritjes së tyre dhe për më tepër në hendekun që krijohet midis pagave maksimale krahasuar me pagat e mesme dhe pagat e ulta. Rritja e kësaj diference bëhet shqetësuese, veçanërisht për konsolidimin e klasës së mesme e konsideruar si motori ekonomik i shume ekonomive. Diferenca e madhe dhe në rritje midis pagave maksimale dhe pagave minimale dëmton kohezionin social me shtresat e varfra.
Politikat e ngushtimit të këtyre diferencave janë në thelb të politikave të qeverive të majta. Kur kjo distancë rritet ndjeshëm, qeveria dhe parlamenti përballen me rrezikun e uljes së mbështetjes publike, gjë që e bën më të vështirë qeverisjen e vendit, veçanërisht sa i përket kohezionit social dhe solidaritetit social.” – tha ai.