Drejtuesja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila deklaroi se ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ish-deputetit të Listës Serbe, Sllavko Simiç lidhur me rastin e realizimit dhe publikimit të incizimeve të kryera në selinë e Kuvendit të Kosovës.
Ajo theksoi se realizimi dhe publikimi i përgjimeve është i paligjshëm, nuk synon informimin dhe publikuesit duhet të përgjigjen penalisht.
“Përveç jashtëligjshmërisë së incizimit, pastaj përcjelljes për përfitim material dhe personal, partiak, me qëllim denigrimin e tjetrit për shkak të detyrës që mban, sekuencat kohore të materialit janë ndryshuar e materiali është manipuluar. Nuk i ka mjaftuar incizimi, kjo vepër e rëndë penale por kanë vijuar dhe me deformimin e përmbajtjes. Gjuha me qëllim nxitjen e urrejtjes, mosdurimit dhe denigrimit të tjetrit e përdorur gjatë komentimit të materialit, ka nxitur kërcënimet ndaj meje nga persona të caktuar. Edhe ato janë paraqitur tek autoritetet relevante.” – ka thënë ajo.