Pedagogët u mblodhën sërish në protestë para Korpusit të Politeknikut duke ripërsëritur kërkesat e tyre për rritje pagash dhe shtim të invenstimeve për kërkimin shkencor. Kreu i sindikatës së protestuesve, Sandër Kovaçi, bëri të ditur se ky është apeli i tyre i fundit drejtuar ndaj qeverisë dhe nëse deri të mërkurën nuk do të ketë asnjë reagim, ata do të nisin grevën e urisë. “Deri tani qeveria ka treguar që s’ka vesh për të dëgjuar kërkesat tona. Ajo ofron vetëm zgjidhje kozmetike dhe ato në trajtë printimesh dhe ofron intimidime që të heqim dorë.
Në këto kushte pas një diskutimi me stafet është propozuar të kalohet protestë në trajtën e grevës së urisë. Dhe në këtë fazë mund të bëjë efekt. I kërkojmë një po të madhe në këtë akt. Deri të mërkurën i lëmë kohë për zgjidhjen e kërkesave tona. Të mërkurën në orën 16:00 të jemi këtu përpara universitetit politeknik për grevë.”- deklaroi Kovaçi. Kovaçi gjithashtu theksoi se kërkesat për rritje pagash dhe shtim të fondeve në kërkimin shkencor i janë adresuar prej tre vitesh ministrisë së Arsimit dhe qeverisë dhe se ato kanë mbetur pa përgjigje. Drejtuesi i sindikalistëve hodhi sërish poshtë akuzat se protesta e tyre është e motivuar politikisht.