Banorët e Fierzës në Tropojë u mblodhën në protestë duke kundërshtuar punimet që po kryhen në një gurore në të cilën planifikohet dhe ngritja e një fabrike bitumi.
Banorët shprehen se ky projekt dëmton seriozisht shëndetin e tyre pasi rrit ndjeshëm parametrat e ndotjes, ndërkohë që ndikim negativ do të ketë dhe në turizmin e zonës, pasi në këtë pjesë zbarkojnë turistët e shumtë që udhëtojnë me tragetin e linjës Fierzë-Koman.
Po ashtu, banorët e zonës kundërshtojnë ndërtimin e kësaj fabrike në afërsi të ujësjellësit të zonës dhe në afërsi të shkollës së fshatit.
Banorët e Fierzës kanë protestuar disa herë ndaj këtij projekti, por puna në gurore nuk është ndërprerë.