Drejtuesi i “Lëvizjes Bashkë”, Arlind Qori foli në protestën kundër ndërtimit të një kulle në lulishten pas Teatrit të Operas dhe Baletit duke e cilësuar këtë vendim si akt të mirëfilltë korruptiv dhe shkatërrimtar për qytetin.

Qori theksoi gjatë fjalës së tij se zaptimi i hapësirave publike do të vijojë me Parkun Rinia dhe me Parkun e Liqenit si dy mushkërite e fundit të qytetit.

Sipas tij, ndërtimet në Tiranë po pastrojnë paratë e organizatave mafioze italiane në bashkëpunim me aktorët politikë në vendin tonë.

“Mbrojtja e këtij parku nuk është vetëm mbrojtje e qytetit, por është mbrojtje e shëndetit publik. Tirana mund të jetë nga qytetet me më pak gjelbërim të Europës. Është ky park që po marrin, parku Rinia që do marrin pas kësaj dhe ai i Liqenit që po e gërryejnë dita ditës.

Në përgjimet e Ndraghetas thonin që të investonin në ndërtim në Tiranë, pasi mund të merrnin metrin me 500 euro dhe ta shisnin me 3000 euro. Sot metri katror në kulla kushton 5000 euro, 10-fish fitim në këtë biznes.

Nuk ka një vend evropian ku bëhet një maskarallëk i tillë. Nuk ka një vend të Europës që shkatërron trashëgiminë e vetë. Veliaj dhe Rama thonë se mos Tirana është Parisi që ta ruajmë. Sipas tyre u duhet vendosur kazma qyteteve që nuk janë Parisi e Roma. Le të bëjmë një kullë në mes të sheshit Skënderbej, pse jo?!”” – u shpreh ai.

Qori paralajmëroi se lëvizja e drejtuar prej tij do të vijojë me protestat kundër ndërtimit të kullës 64 katëshe në hapësiren e lulishtes pas Teatrit të Operas dhe Baletit.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *