Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski kërkoi të merren masa ligjore ndaj politikanëve shqiptarë që organizuan pritjen dhe tubimet me rastin e vizitës së Albin Kurtit në Shkup dhe Tetovë.
Pendarovski po ashtu e konsideroi të paligjshme emërtimin e një rruge të Shkupit me emrin “Adem Demaçi”.
Presidenti maqedonas nënvizoi se vizita e kryeministrit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut i sherben nxitjes së tensioneve dhe kërcënon stabilitetin e këtij shteti.
Sipas tij, organizatorët e pritjes së Kurtit nxitën frymë nacionaliste në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit.
“Organizatorët e tubimeve publike në Tetovë dhe Çair duhet të sanksionohen ligjërisht për shkeljen e dispozitave ligjore për përdorimin e flamurit dhe himnit shtetëror dhe flamujve dhe simboleve të komuniteteve, duke injoruar plotësisht simbolet e shtetit. Lidhur me këtë, kërkoj nga organet kompetente që të kryejnë sa më shpejt procedurat e parapara.
Mënyra e realizimit të idesë së riemërtimit të rrugës në Komunën e Çairit është në kundërshtim me parimin e debatit demokratik dhe respektimit të trashëgimisë historike të të gjitha komuniteteve në vend. Në këtë drejtim, pres që shërbimet kompetente inspektuese të kontrollojnë nëse vendimi është respektuar parimi i shumicës së dyfishtë, i cili duhet të përfshijë votat e komuniteteve joshumicë në atë komunë.” – shkroi Pendarovski në fejsbuk.