Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Mirela Karabina kërkoi nga SPAK të hetojë financuesit e kullës që po ndërtohet pas Teatrit të Operas dhe Baletit.
Ajo rikujtoi padinë e dorëzuar nga selia blu para pak ditësh në institucionin e akuzës duke kërkuar që të hetohet origjina e parave të investuara për këtë ndërtim.
Sipas Karabinës, një kompani modeste ka marrë pjesën e luanit në këtë investim dhe kjo është një indicië e qartë për një aferë të pastër korruptive të cilën SPAK duhet ta zbardhë.
“Partia Demokratike i kërkon dhe njëherë SPAK që të nisë hetimet për të nxjerrë të vërtetën mbi këtë investim gjigand, por dhe për të tjera anekënd kryeqytetit.
Dhe në këtë betejë kundër korrupsionit, Partia Demokratike mbështet pa asnjë rezervë hetimin nga SPAK të ndërtimeve me paratë e pista të krimit dhe korrupsionit në hallkat kryesore të qeverisjes.
‘Ndiq paranë’ është skema më e mirë për të demontuar paratë e pista me të cilat financohen ndërtimet, politika, blerja e votës e shumë shërbime të tjera që tashmë janë në dispozicion të Qeverisë Rama.” – tha ndër të tjera ajo.