Kreu i “Nisma Thurje”, Endrit Shabani shkroi në fejsbuk se lajmi për zbulimin e naftës në Shpirag është një taktikë e njohur për minimin e demokracive dhe konsolidimin e autokracive sunduese. 

Sipas tij, nafta e Shpiragut do të përdoret nga Edi Rama si argument për pushtetin e tij. 

Shabani shtoi se shtete naftëmbajtëse si Venezuala dhe Nigeria nuk janë pasuruar nga nafta, por janë varfëruar për shkak se kjo pasuri është administruar nga të korruptuarit dhe e njëjta gjë do të ndodhë dhe në Shqipëri.

“Nëse burimet natyrore do pasuronin shoqërinë Venezuela, Nigeria, Zimbabve dhe RD e Kongos do ishin vendet më të zhvilluara në botë.

Por ka ndodhur krejt e kundërta: një grup horrash kanë vendosur kontroll mbi burimet natyrore dhe duke patur pasuri pafund kanë arritur të çimentojnë regjimet më diktatoriale në botë.

Prandaj, e parë nga ky këndvështrim, zbulimi i vendburimit të naftës në Shpirag është lajm i keq për këdo që ka shpresa për demokraci në Shqipëri.

Sepse sa më shumë naftë të ketë aty aq më gjatë do qëndrojë Rama në pushtet. 

Në vitet ‘90 Presidenti i Guinesë njoftoi lajmin e gëzuar se kishin zbuluar rezerva të mëdha nafte. 

Sot e kësaj dite ai vazhdon të jetë në pushtet, si një nga diktatorët më jetëgjatë në botë, ndërsa populli i tij vazhdon të jetojë në varfëri ekstreme.

Prandaj përpara se të nxjerrim naftën nga toka, na duhet të nxjerrim nga zyra politikanët që kanë tendenca diktatoriale, dhe të vendosim një sistem demokratik të administrimit të pasurisë publike.” – shkruan ai.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *