Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe presidentja Vjosa Osmani, bënë homazhe dhe vendosën lule pranë memorialit përkujtimor dedikuar të zhdukurve me dhunë gjatë luftës së Kosovës, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Dhunë.

Pas homazheve, kreu i Kuvendit u shpreh se zhdukja e mijëra qytetarëve të Kosovës është një dhimbje që nuk po përfundon dhe se përgjegjës për zgjatjen e agonisë është shteti serb.

“Me vet faktin që në vitet e fundit në shumë lokacione të Serbisë, si në Peruçac, Rudnicë, Kizhevak dhe vende tjera u gjendën trupat e më të dashurve tanë, tregon që harta ku bashkësia ndërkombëtare duhet t’i kërkojë të zhdukurit me dhunë është Serbia, e po ashtu Serbia është edhe shteti ku ndodhen kriminelët, të cilët i kanë kryer këto krime ”, u shpreh kreu i Kuvendit.

Konjufca gjithashtu ftoi bashkësinë evropiane që të ushtrojnë trysni tek institucionet serbe për zbardhjen e fateve të mijëra të zhdukurve gjatë luftës së Kosovës.

“Ne duhet t’i marrim të gjitha masat të cilat janë në dorën e institucioneve të Kosovës, ashtu që të sigurohemi se edhe bashkësia evropiane edhe faktorë tjerë të rëndësishëm të vendimmarrjes të vetëdijesohen se ka nevojë për një trysni më të madhe në Aleksandër Vuçiqin dhe institucionet e Serbisë, që t’i hapin arkivat e tyre dhe të zbardhet e vërteta për mijëra të zhdukur, për të cilët përgjegjëse padyshim ka qenë ushtria, policia dhe formacionet paramilitare, të cilat janë kontrolluar totalisht nga shteti i Serbisë”, u shpreh ai.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *