Për të zgjidhur këtë sfidë, është krijuar Fondi Rajonal i Sfidave (RCF), i mbështetur nga Gjermania, për të ndihmuar bizneset në këto vende që të gjejnë punonjës të kualifikuar, tha Frieder Woehrmann, drejtuesi i Njësisë së Menaxhimit të Fondeve, RCF.

Një strukturë financimi e krijuar për të rritur punësimin e të rinjve, RCF premtoi rreth 75 milionë euro për të mbështetur projekte të ndryshme trajnimi në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal i Zi dhe Serbi.

“Gjendja ekonomike në Ballkanin Perëndimor karakterizohet nga papunësia e të rinjve, e kombinuar me mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar në ndërmarrje”, tha Woehrmann për BNE IntelliNews.

Woehrmann thekson angazhimin e fondit për të nxitur bashkëpunimin midis institucioneve të arsimit dhe kompanive, në të gjitha ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, për të kapërcyer hendekun midis aftësive të zotëruara nga fuqia punëtore dhe kërkesave të tregut të punës.

“Qytetarëve në të gjithë ekonomitë në Ballkanin Perëndimor u mungojnë aftësitë e nevojshme për të konkurruar në një ekonomi të integruar globale dhe ata janë të paaftë për t’u përshtatur shpejt me kërkesat në tregun e punës.

Punëdhënësit e Ballkanit Perëndimor shpesh ankohen për mospërputhje të aftësive”, tha Woehrmann.

Emigrimi

Sipas Woehrmann, një nga arsyet kryesore të mospërputhjes së aftësive është emigracioni, pasi njerëzit e aftë në vendet e Ballkanit Perëndimor, shpesh emigrojnë për të kërkuar mundësi jashtë vendit, të tërhequr nga kushtet më të mira të punës, pagat më të larta dhe perspektivat më të forta të karrierës.

Largimi i trurit thekson mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar brenda rajonit, duke e bërë të vështirë për punëdhënësit që të gjejnë kandidatë të kualifikuar për bizneset.

Shumë njerëz po largohen nga Maqedonia e Veriut këtë verë, për të punuar në hotelet dhe restorantet e Kroacisë, në kërkim të pagave më të mira.

Sipas një punonjësi të një prej kompanive më të mëdha të telekomunikacionit në vend, pesë të rinj u larguan nga kompania brenda vetëm një dite, për të punuar në sektorin e hotelerisë në Kroaci.

Raportet e mediave në vend bëjnë të ditur se disa punonjës në administratën publike po marrin leje pa pagesë për të punuar në Kroaci gjatë verës, ku pagat, në varësi të vendit të punës, arrijnë në mbi 1000 euro, duke shtuar edhe ushqimet dhe akomodimi falas. Krahasuar me një pagë mesatare neto prej pak më shumë se 500 eurosh që marrin në Maqedoninë e Veriut, zgjedhja duket shumë tërheqëse.

Sllovenia gjithashtu ka rritur numrin e lejeve të punës për të huajt, kryesisht nga vendet e Ballkanit, veçanërisht në sektorë si ndërtimi, prodhimi, transporti, magazinimi, hoteleria dhe tregtia.

Në gjysmën e parë të vitit, janë dhënë më shumë se 22 mijë leje pune për të huajt. Punëtorët nga Kosova (7,000), Bosnjë-Hercegovina (mbi 6,000) dhe Serbia (1,700), kryesojnë në marrjen e lejeve të punës.

Së fundmi, Sllovenia organizoi dy aktivitete mbi karrierën në Maqedoninë e Veriut, të cilat tërhoqën 3,500 njerëz. Kjo përgjigje tregon potencialin e punësimit në Maqedoninë e Veriut, një vend me rreth 140,000 individë të papunë. Në Bosnjë, ka ende mbi 350,000 persona të kategorizuar si të papunë, ndërsa Serbia ka rreth 400,000.

Largimi i të rinjve

Woehrmann citoi të dhëna zyrtare, të cilat tregojnë se shkalla e papunësisë së të rinjve, si dhe shkalla e të rinjve që nuk janë as në arsim dhe as të punësuar, është shumë më e lartë se mesatarja e BE-së.

“Sektorët që duhet të rrisin përpjekjet për të qenë më tërheqës për punësim në vendet e Ballkanit janë inxhinieria mekanike në Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinë; TIK-u në Shqipëri dhe Kosovë; hoteleria në Shqipëri dhe Mal të Zi, dhe sektori i shëndetësisë në Kosovë”, tha ai.

Woehrmann deklaroi se vendet e zhvilluara, që kanë mungesë kronike në turizëm, por edhe në ndërtim dhe në të gjithë sektorët industrialë, po rekrutojnë njerëz në vendet fqinje të Ballkanit, për të mbushur hendekun.

Në mbështetje të RCF-së, Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, ka shpërndarë një shumë të konsiderueshme prej 64.4 milionë eurosh. Për më tepër, qeveria zvicerane, e përfaqësuar nga SDC Swiss Development Cooperation, ka siguruar një bashkëfinancim prej 9.7 milionë CHF (10 milionë euro).

Këto fonde i janë besuar Bankës për Zhvillim KfW dhe janë zbatuar nëpërmjet Forumit të Investimeve të Dhomave të Ballkanit Perëndimor, një nismë bashkëpunuese që përfshin dhomat e tregtisë në rajon.

Siç u shpreh Woehrmann, RCF-ja synon ta bëjë më të lehtë për bizneset që të gjejnë punonjës të kualifikuar. Ajo e bën këtë duke lidhur kompanitë që kanë nevojë për punonjës të kualifikuar, me institucionet e formimit profesional, duke përdorur qasjen e trajnimit bashkëpunues.

Burimi: Monitor.al

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *