Policia e Kosovës deklaroi se ka sekuestruar një arsenal armësh në Zveçan. Në aksionin e kryer në prani të KFOR-it u sekuestruan armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv.
“Policia e Kosovës pas pranimit të një informate nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës, ka zhvilluar një bastisje në ‘Korile e Poshtme’ këtu në Zveçan, me c’rast gjatë bastisjes kemi hasur në armë dhe municion. Aty janë gjetur katër pushkë automatike, karikatorë, eksploziv, granata dore, municion dhe objekte të tjera. Policia e Kosovës vazhdon të jetë e dedikuar për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike në mbarë territorin e Kosovës dhe në veçanti në veriun e saj. Duke marrë parasysh numrin, sasinë dhe llojin e armëve, del se ky vend ka mundësi të ketë shërbyer si depo. Ne nuk kemi të arrestuar për momentin, por kemi persona të dyshimtë. Në mesin e armëve dhe municionit që ju i patë kishte edhe kallashnikov dhe municion 5X56, që i bie kalibër i NATO-s, e që është një rast interesant për t’u hetuar. Në pjesën veriore të Kosovës situata është e qetë, stabile, por delikate, duke marrë parasysh edhe zhvillimet politike të cilat po zhvillohen në vend”- ka thënë zëdhënësi I Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Pas këtij aksioni reagoi dhe kryeministri Albin Kurti i cili theksoi se armatimi ishte depozituar në një banesë në Zveçan dhe plani ishte që ai t’u shpërndahej pjesëtarëve të bndave serbe për të sulmuar Policinë e Kosovës.