Dy zyrtarë amerikanë i thanë rrjetit CBS se ushtarakë të lartë rusë kanë diskutuar mes tyre mundësinë e përdorimit të armëve bërthamorë në fushatën ndaj Ukrainës. Të njëjtat burime konfirmuan se Vladimir Putin nuk ishte i përfshirë në bisedimet në fjalë.
Shtëpia e Bardhë ka theksuar se ishte gjithnjë e më shumë e shqetësuar për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore gjatë muajve të fundit. Ky zhvillim duket se konfirmon dyshimmet e mëparshme të inteligjencës perëndimore se Moska mund të lëvizë armët e saj bërthamore.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, akuzoi Perëndimin për “pompimin e qëllimshëm të temës”, megjithëse koha e diskutimeve ushtarake ruse të nivelit të lartë në mes të tetorit është domethënëse.
Nga fundi i shtatorit, presidenti Putin kishte përshkallëzuar retorikën e tij antiperëndimore, duke folur për përdorimin e të gjitha mjeteve që kishte në dispozicion për të mbrojtur Rusinë dhe tokat e okupuara të Ukrainës që ai kishte aneksuar.
“Ky nuk është një bllof.” – deklaronte Putin, duke akuzuar Perëndimin për shantazh bërthamor, pa harruar të mburret me armët ruse që sipas tij ishin më moderne se çdo armë tjetër në armaturën e NATO-s.
Duke iu përgjigjur raporteve të mediave amerikane se Rusia kishte diskutuar për përdorimin e armëve bërthamore, zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Xhon Kirbi tha: “Ne jemi gjithnjë e më shumë të shqetësuar për potencialin bërthamor të Rusisë gjatë këtyre muajve.”
Ndërsa forca ushtarake e Rusisë në fushën e betejës është zbehur, kërcënimet e saj bërthamore duket se janë rritur. Moska e ka akuzuar Ukrainën për përgatitjen e një “bombë të pistë”, të mbushur me material radioaktiv, megjithëse Ukraina dhe Perëndimi thonë se Rusia thjesht po përpiqet të krijojë një pretekst për të fajësuar Kievin nëse përdoret një pajisje e tillë.
Burimi: BBC News