Mirlind Daku nuk e kishte shkelur mirë barin e fushës i sapofutur në sfidën ndaj Polonisë kur Ylber Ramadani i dha një krosim dhe ai me nuhatjen e një bomber mposhti Sheznin dhe ngriti peshë 22 mijë tifozët shqiptarë në stadium.
Pasi e çoi topin në rrjetë, Daku hoqi fanellën dhe në shpatullën e tij të djathtë u pa një tatuazh me mbishkrimin “Katana 138”. Bëhet fjalë për një dedikim kushtuar Agim Ramadanit, komandantit legjendër të UÇK-së i rënë në luftën e Koshares ndaj forcave serbe në prillin e vitit 1999.
Ky tatuazh ka nxitur reagimet karakteristike të shovinizmit në Serbi. Media dhe analistë sportivë e kanë konsideruar shpalosjen e këtij tatuazhi si skandal pasi sipas këtyre pretendimeve në tatuazh ishte gdhëndur një tekst kushtuar një terrroristi.
Serbët kërkojnë që UEFA të hetojë për këtë rast dhe të marrë masa ndëshkuese.