Kryeministri, Edi Rama, po zhvillon takime në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), ku gjatë një diskutimi me fermerët e zonës ngriti çështjen e menaxhmit të masivit të gështënjave. Zona posedon masivin më të madh të gështënjës në Ballkan me një sipërfaqe prej 2700 hektarësh.
Rama theksoi se për të evituar konfliktet e mundshme të pronësisë, pronësia mbi këtë masiv do të jetë kompetencë e bashkisë e cila do të shpërndajë dhe dokumentet e pronësisë duke respektuar kufinjtë e njohur nga banorët dhe duke inkurajuar investitorët e mundshëm në këtë hapësirë. “E kemi adresuar çështjen e pronës. 2700 hektarë të pyllit të gështenjave i janë dhënë bashkisë, që ajo të bëjë identifikimin dhe ndarjen e tyre sipas tyre marrëveshjeve që janë në territor. Problemi me pyllin e gështenjave, apo me zona të tjera, siç është në jug, është që kemi situata pronash të pakthyera që aktualisht përdoren nga njerëzit që nuk e kanë pranuar 7501-in dhe në mënyrë paqësore me njëri-tjetrin kanë rënë dakord për kufijtë e vjetër. S’ka konflikte potenciale, sepse është rënë dakord që ‘këtu e ka pasur kufirin familja ime dhe aty e jotja’. Jo kudo ka pasur zgjidhje të tilla. Ka pasur dhe zona me konflikte, ndaj ja kemi lënë bashkisë që të trajtojë këto çështje. Po flasim për ndarje në funksion të shfrytëzimit. Jam emigrant nga Tropoja, që dua të investojë. Mbi këtë bazë bashkia ma njeh të drejtën mbi këtë pronë dhe me dokumentin që marr bazuar në këtë realitet, aksesoj fondet e mbështetjes për agroturizmin.”- tha Rama.