Gjenerali amerikan që drejtoi fushatën e bombardimeve ndaj Serbisë, Uesli Klark i tha “Zërit të Amerikës” se sulmi terrorist në Kosovë është organizuar nga forcat special të Serbise dhe se pa dijeninë dhe mbështetjen e tyre kjo ndërmarrje do të ishte e pamundur.

Si i komentoni ngjarjet që ndodhën të dielën e kaluar në veri të Kosovës afër fshatit Banjskë?

Uesli Klark: Para së gjithash, është një tragjedi për të gjitha palët dhe është një problem real për qendrueshmërinë në Ballkan. Duhet të përbëjë shqetësim për Bashkimin Evropian dhe NATO-n, ndërsa dalin në pah detajet e incidentit. Ajo që është më shqetësuese për mua është se pas incidentit, rezultoi se kishte një grumbullim të madh armësh në manastirin serb. Kjo ka ndodhur edhe më parë.

Ne e dimë nga përvoja e mëparshme në Ballkan në vitet 1990, dhe që atëherë se manastiret serbe kanë qenë strehë e nacionalizmit serb. Dhe kjo nuk e përjashton përdorimin e tyre si arsenale. Ndaj kjo është gjëja më shqetësuese.

Shpresoj që KFOR të insistojë që këto manastire të inspektohen dhe arsenalet të konfiskohen, sepse nuk ka vend për këtë në mes të përpjekjeve për të arritur marrëveshjen e autonomisë për qytetarët serbë të Kosovës. Është kundërproduktive dhe nuk ka vend për kërcënime me dhunë dhe armë.

Çfarë lloj formacioni do të kishte qasje tek pajisjet dhe burimet që janë kapur pas neutralizimit të sulmit?

Uesli Klark: Armatimet ka të ngjarë të kenë ardhur nga Serbia, dhe ndoshta ky ka qenë një veprim i koordinuar ose të paktën i miratuar në heshtje nga forcat speciale serbe. Ne i kemi parë këto lloj veprimesh edhe më parë, sepse më kujtohet se gjatë fushatë ose në fillim të fushatës ajrore të vitit 1999 në Kosovë, një grup ushtarësh serbë në rroba civile rrëmbyen tre ushtarë amerikanë të cilët ishin pjesë e patrullës në atë që sot njihet si Maqedonia e Veriut.

Ata nuk kishin uniforma ushtarake, por kaluan kufirin dhe rrëmbyen tre ushtarë amerikanë nga makina e patrullës, i rrahën dhe i dërguan në Beograd. Pra, mbetet për t’u parë se kush ishin sulmuesit në pjesën veriore të Kosovës dhe lidhet me forcat speciale dhe qeverinë serbe.

Presidenti serb pretendoi se sulmuesit ishin serbë të zonës të cilët nuk mund ta përballonin represionin nga qeveria e Kryeministrit Kurti. Çfarë mendoni për këtë?

Uesli Klark: Do të më duhej të kuptoja më mirë se cilat janë ankesat e tyre për shtypjen. Shtypja nuk filloi pas futjes së KFOR-it në vitin 1999 nën udhëheqjen franceze. Në thelb, në atë zonë ishte eliminuar autoriteti shqiptar dhe shqiptarët ishin spastruar nga detyrat në spitale apo vende të tjera ku mund t’i shërbenin komunitetit. Që nga atëherë, zona ka qënë relativisht e ndarë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *