Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla publikoi në rrjetet sociale një tjetër provë që sipas tij dëshmon përfshirjen e Ushtrisë së Serbisë në mbështetjen e sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës.
Sveçla thekson se dokumenti provon se granatat që grupi terrorist posedonte ishin siguruar nga rezervat e ushtrisë serbe.
“Shtohen një pas një dëshmitë e lidhjes zyrtare mes shtetit të Serbisë dhe grupit terrorist që kreu vrasjen e policit Afrim Bunjaku dhe përgatitjen e aksionit kundër rendit kushtetues me qëllim destabilizimin e Republikës së Kosovës. Ky dokument është vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit. Atë që e kemi deklaruar në vazhdimësi tash po e mbështesim edhe me fakte e dokumente të pakontestueshme se shteti i Serbisë mbështet këto grupe terroriste politikisht, financiarisht, logjistikisht.” – shkruan ai.