Nga Lutfi Dervishi
Lajmi i sekuestrimit të disa celularëve nga BKH-ja, në Universitetin Bujqësor apo në Ministrinë e Infrastrukturës, lajmet e “videove” private pa asnjë interes për publikun, por edhe rrjedhja e lajmeve me “interes për publikun” ngrenë pikëpyetje mbi seriozitetin e punës së BKH-së dhe prokurorëve.
Duket se nuk është e tepërt t’i thuash një takëmi hetuesish dhe prokurorësh që nxjerrja e sekretit hetimor është kompromentim i hetimit dhe shkelje e ligjit.
Kur detaje të hetimit bëhen publike, personat nën hetim nuk janë budallenj dhe konkluzionet e “gjykatësve popullorë” në facebook dhe portale nuk janë prova për sallën e gjyqit.
Ka shumë pak gjasë që këto informacione t’i kenë bërë publik “viktimat”. Duket se ka një keqkuptim të madh ose hetuesit/prokurorët nuk kanë përvojë në hetim dhe duan të tregojnë se po punojnë ose i ka zënë virusi i spektaklit.
Publikimi me detaje i bisedave të “Metamorfozës” është tjetër rast kur “sekreti hetimor” nuk është në axhendë të hetuesve dhe prokurorëve. Rrjedhja e informacionit është bërë autostradë, por nuk ka asnjë hetim të regjistruar.
Përveç minimit të integritetit të hetimit dhe besimit të publikut në institucione, këto lajme nga dosjet e hetuesve dhe prokurorëve po kthehen në karburant për tituj që vetëm me të vërtetën nuk kanë lidhje.
Interesi publik ngatërrohet me “interesant për publikun” dhe dinjiteti i njeriut nëpërkëmbet me gjysëm të vërteta, thashetheme, përgojime dhe verdikti popullor vjen me shpejtësinë e vetëtimës.
Ëështë detyrë e gazetarëve të gërmojnë dhe të gjejnë materiale qoftë edhe ato që përbëjnë sekret hetimor, por është detyra e punonjësve të agjencive ligjzbatuese të ruajnë sekretin.
Nëse hetuesit dhe prokurorët mendojnë se me “rrjedhje informacioni” bëhen të famshëm, kanë zgjedhur profesionin e gabuar. Bota e spektaklit i ngjan tabelës së Mendelejevit, ka gjithmonë kuti bosh për elementë të rinj.