Në vitin 2019 investimet ishin 15.2 milionë, një vit më vonë 2020, investimet kanë shkuar në 39.8 milionë, kurse në 2021, vlera e tyre ishte 50.4 milionë dhe në vitin e kaluar 79.7 milionë euro.

Investimet nga Shqipëria në Kosovë nga viti 2019 deri në vitin 2022 kanë shënuar rritje me 136.5 për qind.

Kështu ka thënë kryeministri, Albin Kurti, teksa ka marrë pjesë në konferencën shkencore ndërkombëtare me titull “Sfidat dhe Perspektiva e Bashkëpunimit Ekonomik Kosovë- Shqipëri dhe Rajon”.

“Të shprehur në vlera (në vitin 2019 kishim 15.2 milionë investime; një vit më vonë 2020 – 39.8 milionë; 2021 – 50.4 milionë dhe në vitin e kaluar 2022, 79.7 milionë euro). Dëshirë e Kosovës është që këto investime të rriten, dhe që shteti ynë të jetë sa më mikpritës për biznesin, kapitalin e konsumatorin që vjen nga Shqipëria”.

Ai ka shtuar se kjo konferencë është nga më të natyrshmet dhe më të rëndësishmet, andaj edhe “jemi të qartë që një bashkëpunim i këtillë është një përcaktues për gjendjen e marrëdhënieve mes shteteve tona por edhe të marrëdhënieve në mbarë rajonin e Ballkanit tonë”.

Duke folur për raportet dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ai është shprehur se gjerë më tani janë nënshkruar përgjatë viteve gjithsej 184 marrëveshje, protokolle e memorandume.

“Ndër marrëveshjet e nënshkruara mes palëve, veçoi ai, një vend të rëndësishëm zënë marrëveshjet me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën ekonomike të qytetarëve, bizneseve por edhe më gjerë, teksa përmendi marrëveshjet që kanë gjetur zbatim dhe që kanë rezultate”.

Kurti u ka uruar suksese punimeve të kësaj konference dhe me sa më shumë efekte në planin konkret të integrimit të përbashkët të të dyja vendeve.

“Unë ju falënderoj shumë për mikpritjen e vëmendjen dhe ju përgëzoj për këtë iniciativë kaq me vend, siç është ky aktivitet që mbledh mendje, ide, studime, kërkime e mendime me vlerë për të kontribuar edhe me kritika e propozime në një rrafsh kaq prioritar për të gjithë ne, siç është ekonomia”.

Ditë më parë, Banka Qendrore e Kosovës ka bërë të ditur se deri në fund të korrikut investimet direkte kapin vlerën e 443.3 milionë euro. Sipas BQK-së, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022, këtë vit investimet direkte kanë shënuar rritje për 20 milionë euro.

“Investimet direkte në Kosovë deri në fund të korrikut 2023 ishin për 20 milionë euro më të larta dhe shënuan vlerën 443.3 milionë euro, krahasuar me 423.2 milionë euro që ishin deri në fund të korrikut 2022, përderisa investimet direkte jashtë Kosovës shënuan vlerën e 121 milionë eurove, ku një vit më parë ishin 89.3 milionë euro”.

Qeveritë shqiptare të Kosovës dhe Shqipërisë janë mbledhur disa herë vitet e fundit me qëllim për të lehtësuar tregtinë mes dy vendeve dhe shtuar shkëmbimet tregtare.

Kosova është nga të paktat shtete, me të cilat Shqipëria ka bilanc tregtar pozitiv, d.m.th. që eksportet janë më të larta sesa importet.

Burimi: Monitor.al

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *