Nga Arbër Zaimi

Po diskutohet shumë për dështimin e shërbimeve inteligjente për të parandaluar sulmin e Hamasit në Izrael, që ka qenë ndër më vdekjeprurësit për dekada me radhë.

Pa bërë krahasime, por duhet të jemi mirënjohës për sistemin e sigurisë në Kosovë që u tregua i suksesshëm, në gjendje të perceptojë dhe të neutralizojë sulmin terrorist serb të 24 shtatorit.

Ky sulm u asgjësua me shumë pak dëme, nëse mbajmë parasysh se kishte më shumë se 5 milion euro armatim special, të teknologjisë së lartë e që është prodhuar në vitet e fundit në Serbi. Më shumë se 100 persona ishin pjesë të atij sulmi, të mirëpajisur e të stërvitur në bazat ushtarake të Serbisë. Ata erdhën në Kosovë me automjete të shumta, një pjesë edhe të blinduara, ku u gjetën edhe dokumentacione të ushtrisë së Serbisë.

Suksesi i Kosovës ka shpëtuar jetë dhe ka garantuar paqen.

Serbia po thotë se nuk mban përgjegjësi e nuk ka pasur dijeni për sulmin, edhe pse është e qartë dhe ka fakte të bollshme se organizatorët janë të lidhur drejtpërdrejt me shtetin.

Por budallallëku më i madh që bën Serbia kur thotë se nuk e ka ditur që sulmi po organizohet, është se praktikisht tregon që i ka dështuar shërbimi i vet inteligjent madje vetë shteti i Serbisë, duke mos i parë gjithë këto përgatitje e lëvizje masive brenda territorit të tyre para se të hynin në Kosovë. Nëse paskan dështuar, atëherë ky vend që nuk mban përgjegjësi e nuk i kontrollon dot as territorin e vet, as inventarët e ushtrisë së vet e as poligonet ushtarake, përbën absolutisht rrezik për fqinjët dhe për gjithë rajonin, dhe duhet angazhuar një forcë ndërkombëtare paqeruajtëse që të mos eksportohet konflikti.

Pra nëse Vuçiqi këmbëngul se institucionet e Serbisë dhe ai vetë nuk dinin gjë për këtë sulm masiv e të mirëpërgatitur, atëherë KFOR-i duhet të vendoset në Serbi e të marrë kontrollin mbi sigurinë.

E vërteta megjithatë është ndryshe, autoritetet shtetërore serbe gënjejnë, ato jo vetëm që e kanë ditur, por edhe e kanë mbështetur haptazi atë grup të madh terrorist, dhe kanë dashur t’i vënë flakën Kosovës e rajonit. Prijësit e grupit kanë qenë njerëz të afërt të Vuçiqit e të Vulinit, por edhe të familjarëve të tyre. Kjo mbështetje e terrorit duhet ndëshkuar ndërkombëtarisht, që të mos përsëritet.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *