Tenderi për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano është anuluar, sipas njoftimit të bërë nga Agjencia e Prokurimit Publik.
Sipas autoriteteve, procedura u anulua për shkak se kompania e vetme që kishte mbetur në garë, Archirodon Group, nuk paraqiti ofertë financiare.
Projekti i portit të ri parashikonte ndërtimin e një infrastrukture moderne, me thellësi më të madhe ujore se Porti i Durrësit, duke krijuar mundësi për ankorimin e anijeve më të mëdha dhe përpunimin e një sasie më të madhe mallrash.
Sipas planit fillestar, në fazën e parë porti do të kishte kapacitet për përpunimin e rreth 500 mijë kontejnerëve në vit, ndërkohë që aktualisht porti ekzistues përpunon rreth 180 mijë kontejnerë.
Tenderi, me vlerë rreth 393 milionë euro pa TVSH, ka dështuar disa herë më parë. Në garën e zhvilluar në dhjetor 2024 morën pjesë pesë konsorciume, por vetëm një prej tyre arriti të kalojë në fazën finale për ofertë teknike dhe ekonomike.
Ndërkohë, sipas raportimeve mediatike, një nga kompanitë pjesëmarrëse ka depozituar kallëzim në SPAK, ndërsa agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë sekuestruar dokumentacionin e procedurës nga zyrat e Autoritetit Portual Durrës.
