Banorët e fshatit Kurdari në Klos kanë dalë në protestë kundër ndërtimit të një hidrocentrali në përroin e Luses, duke kundërshtuar vijimin e punimeve në zonë. Të revoltuar, ata kanë larguar edhe mjetet e firmës që po kryente punimet për projektin.
Sipas banorëve, kundërshtimet ndaj ndërtimit të HEC-it kanë nisur prej rreth tetë muajsh. Ata shprehen se projekti rrezikon burimin kryesor të ujit dhe jetesën e komunitetit në zonë, duke paralajmëruar se ndërtimi i tij mund t’i detyrojë banorët të largohen nga fshati.
“Po na marrin burimin e ujit dhe po na detyrojnë të largohemi nga fshati”, kanë deklaruar banorët e Kurdarit gjatë protestës.
Nga ana tjetër, përfaqësues të kompanisë që po realizon projektin kanë theksuar se ndërtimi i hidrocentralit është bërë në përputhje me procedurat ligjore dhe se disponojnë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për vazhdimin e punimeve.
Ndërkohë, në zonë kanë mbërritur edhe forcat e policisë për të monitoruar situatën dhe për të shmangur përshkallëzimin e protestës mes banorëve dhe përfaqësuesve të firmës.
