Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, deklaron se dekreti i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit dhe thirrjen e zgjedhjeve të reja, është jokushtetues.
Në një intervistë për KosovaPress, Hasani shpjegon se moszgjedhja e presidentit nuk e dërgon automatikisht vendin në zgjedhje të reja. Ai thekson se vendimi i Osmanit tenton të ndryshojë sistemin nga parlamentar në presidencial, gjë që mund të bëhet vetëm përmes amendamentit kushtetues.
Hasani paralajmëron se gjykata duhet të vendosë menjëherë masa të përkohshme për të mbrojtur rendin kushtetues dhe për të parandaluar arbitraritetin. Ai vlerëson se dekreti ka tronditur themelet e shtetit më shumë se çdo vendim tjetër që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008.

