Nga Shaip Beqiri
Një mesazh për Shkëlzen Gashin për librin «Masakrat e Kosovës 1998–1999»
Nuk do të mund ta besoja kurrë, po të mos i kisha parë me sytë e mi pamjet e mynxyrshme, me fytyra kreturash të çakërruara, duke u çjerrë të shpërmendura kundër Shkëlzen Gashit, mikut tim të dashur dhe publicistit e historianit brilant të këtij fillimshekulli. Për çka? Për një libër enciklopedik të historisë më të re, të kryetragjedive shqiptare të Kosovës të fundshekullit të kaluar, për masakrat e viteve të paharrueshme 1998–1999.
Hienat e babëzitura politike dhe mediatike të Prishtinës; institucionet më të larta të pseudoshkencës albanologjike dhe, sidomos, ato shtetërore të policisë, prokurorisë dhe gjyqësisë, gjithanshëm e gjithmonë të korruptuara, si në kohë kryqëzatash të hershme, ndjekin shkencëtarin e ri, të dijshëm e të guximshëm, me akuzën për librin që askush para tij nuk e ka bërë aq të gjerë e të thellë, të mbushur me fakte e dëshmi të pakundërshtueshme.
Janë të pafundme hapësirat dhe mundësitë e diskutimit kritik të çdo libri, sikundër edhe këtij të Shkëlzen Gashit, por është i palejueshëm linçimi i një autori dhe denigrimi e kërcënimi i tij për shkak të një vargu të metash, lëshimesh e lajthitjesh që lehtësisht mund të përmirësohen, të plotësohen e të korrigjohen.
Por linçimi i egër i një libri me kaq vlera, argumente e fakte për masakrat serbe ndaj shqiptarëve dhe Kosovës nuk do të harrohet kurrë; ndërkaq, kanosja publike, akoma më e egër, e autorit nga turmat pa tru në rrugët dhe sheshet e Prishtinës, që vijnë si jehonë dhe vazhdë e një të kaluare akoma më të zezë, nuk do të falet dot asnjëherë.
