Analisti dhe publicisti Veton Surroi ka reaguar pas dekretit presidencial për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, të nënshkruar në mëngjesin e 6 marsit, duke e cilësuar si veprim të nxituar dhe duke kërkuar që Gjykata Kushtetuese të ketë fjalën e fundit.
Thelbi i qëndrimit të Surroit: përderisa ekziston paqartësi juridike nëse procesi i zgjedhjes presidenciale është ende brenda afatit kushtetues, asnjë institucion nuk duhet të veprojë si të jetë çështja e mbyllur. Vetëm Gjykata Kushtetuese ka kompetencën për të dhënë atë sqarim.
Surroi kritikon gjithashtu mbrëmjen e 5 marsit, kur Kuvendi u mblodh në seancë urgjente për të diskutuar amendamente kushtetuese të dakorduara gati njëmbëdhjetë vjet më parë. Sipas tij, trajtimi i nxituar i ndryshimeve kushtetuese tregon mungesë serioziteti , pasi këto ndryshime kërkojnë kohezion shoqëror dhe konsensus politik më të gjerë se çdo vendim tjetër parlamentar.
Sa i përket dekretit, Surroi argumenton se ai duhej pritur të paktën deri në mbarimin e orarit të punës së Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk kishte as obligim dhe as mundësi reale të mblidhej gjatë natës. “Vendimi mori pamjen e një akti të nxituar,” shkruan analisti.
Surroi sqaron se kurdo që Gjykata Kushtetuese të marrë vendim, vendi do të ketë qartësinë e nevojshme juridike: nëse konstatohet hapësirë kushtetuese, partitë duhet të krijojnë konsensus për zgjedhjen e Presidentit; nëse jo, nisin përgatitjet për zgjedhje të parakohshme.

