Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekretuar shpërndarjen e Kuvendit, pasi deputetët dështuan të zgjedhin presidentin e ri brenda afatit kushtetues.

Në një konferencë për media, Osmani deklaroi se dështimi i së enjtes mbrëma për zgjedhjen e kreut të shtetit e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja. Sipas saj, situata nuk ishte rastësore, por e menduar dhe e kalkuluar politikisht.

Ajo e cilësoi të shmangshme këtë situatë dhe theksoi se përfaqësuesit politikë nuk zgjodhën interesin e qytetarëve. Presidentja shtoi se vendi është futur në këtë krizë nga njerëz që, sipas saj, vepruan në mënyrë të papërgjegjshme dhe me qëllime të rrezikshme.

Osmani theksoi se Kushtetuta përcakton qartë afatet për zgjedhjen e presidentit. Sipas nenit 86, presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Mandati i saj përfundon më 4 prill, ndërsa 5 marsi ishte afati i fundit kushtetues për zgjedhjen e pasardhësit.

Ajo sqaroi se edhe pse procedura për zgjedhjen e presidentit mund të nisë deri në 60 ditë para përfundimit të mandatit, ajo duhet të përfundojë patjetër jo më vonë se 30 ditë para mbarimit të mandatit aktual.

Sipas presidentes, deputetët kishin në dispozicion 23 ditë për të përmbushur këtë detyrim kushtetues, por vendosën të mos e bëjnë një gjë të tillë. Për këtë arsye, theksoi ajo, Kushtetuta e detyron presidentin të shpërndajë Kuvendin kur ai dështon të zgjedhë kreun e shtetit.

Osmani bëri të ditur se gjatë ditës së sotme do të zhvillojë konsultime me liderët e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja parlamentare.

Në seancën e fundit të jashtëzakonshme, të mbajtur pak orë para skadimit të afatit kushtetues, procesi i zgjedhjes së presidentit u ndërpre për shkak të mungesës së kuorumit. Kandidatë për president ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *