Nga Daut Dauti
Në ndeshjen Wales vs Albania, që u zhvillua në Cardiff me 7 shtator 1994, nga Londra shkuam disa qindra veta që të simpatizonim duke i dhënë zemër kombëtares së Shqipërisë. Gjatë tërë kohës ky grup ishte më i zhurmshëm se vendasit që me dhjetëra mijëra ishin në stadium. Ishim atraksion i vërtetë për shkak se vendasit nuk e kishin pritur ardhjen tonë. Kjo ka qenë me siguri hera e parë që kombëtarja e Shqipërisë në stadium kishte simpatizuesë masivë si mysafire.
Ndeshja përfundoi me 2:0 në të mirë të Walesit, por ky ishte rezultat i favorshëm për Shqipërinë kur e kishim parasysh se ekipi vendas e kishte Ryan Giggsin, i cili ishte në formën më të mirë dhe solo mund t’i demolonte ekipet kundërshtare.
Por, në këtë ndeshje ndodhi një befasi e pakuptueshme. Futbollistët e Shqipërisë, për të cilët kishim shkuar ne dhe për të cilët e bëmë gjithë atë zhurmë, as që na përshëndetën në fund të lojës dhe e injoruan tërësisht prezencën tonë. Por, ndodhi e kundërta. Na përshëndetën futbollistët e Walesit për shkak se ata kishin ndjenja të tifozerisë. Futbollistëve të Shqipërisë në mënyrë ekstreme u mungonte kjo ndjenjë. Lidhja e tyre sportive dhe shpirtërore me simpatizuesit nuk ekzistonte. Ata as që kishin vullnet për lojë dhe luanin sa për sy e faqe. Në mënyrë ekstreme mungonte edhe simpatizimi i organizuar e nuk shihej gati kurrë ndonjë baner.
Nga ky dëshpërim i simpatizuesve në Cardiff, te një grup i simpatizuesve lindi ideja e formimit të Tifozave Kuq e Zi, që u formalizua pas disa viteve dhe që luajti një rol të madh në ngritjen e dashurisë për kombëtaren dhe në krijimin e lidhjes moderne sportive të relacionit simpatizues – futbollist.
Sot, gjërat kanë ndryshuar rrënjësisht. Kombëtarja e Shqipërisë është ekip serioz dhe larg më e mirë se Walesi edhe sikur aty ende të luante Ryan Giggs. Është krijuar edhe lidhja mes futbollistëve dhe simpatizuesve. Vetëbesimi i futbollistëve, por më shumë ai i simpatizuesve, që dikur mungonte, tashti i ka kaluar kufijtë e normales. Ka shkuar aq larg arsyes sa që në stadium mund të hasni edhe banera si ky në foto. Pra, nga ektremi i mungesës së simpatizimit dhe simbolikës, është kaluar në ekstermin e teprimit. Pra, kaq shumë mund të ndryshojnë gjërat brenda tri dekadave.