Nga Ermal Mulosmani
Kuptimi i vjetër i fjalës gjobë, ai që ka mbetur edhe në fjalorin e sotëm të shqipes, i referohet një kundërvajtjeje administrative, fjala vjen një parkim apo parakalim i gabuar, tejkalim shpejtësie në rrugë apo, le të themi, një tejkalim të afateve të kredisë. Pra, pak a shumë, një tërheqje vëmendjeje për të qenë më i kujdesshëm në të ardhmen.
Personi i gjobitur sipas këtij përcaktimi, zakonisht është njëri nga ne, një qytetar me shkelje administrative, ndërsa gjobvënësi është përgjithësisht shteti ose një institucion shtetëror i cënuar nga ajo shkelje.
Ky përcaktim i fjalës gjobë i takon të shkuarës. Ai ka një kuptim romantiko- nostalgjik në raport me kuptimin modern, të ashpër, ngjethës, të kohëve tona.
Tashmë sa herë ndeshemi me këtë fjalë, asnjëri nga ne nuk kupton atë “reliken” komuniste prej 500 a 1000 lekëve.
Kuptimi i ri i fjalës gjobë lindi aty nga fillimi i demokracisë kur filluan rrëmbimet e biznesmenëve. Gjobvënësit e rinj ishin tjetër soj nga gjobvënësi i vjetër me kostum doku. Këta të dërgonin copëza videosh, ku burra të fortë e të pasur, u luteshin si fëmijë familjarëve, duke qarë, për të bërë pagesa qindra mijë dollarëshe sepse përndryshe jeta e tyre shkoi për dhjamë qeni…
Gjobvënësit e rinj nuk njihnin rregulla shteti, nuk kishin as parime e as mëshirë. Ata ishin idhujtarë të parasë dhe të dhunës, njerëz të pamëshirshëm me identitet kriminal të fortë dhe shpesh me personalitet të shumëfishtë. Me ata nuk bëhej shaka. Sa për të përmendur një rast, biznesmeni Koço Dado u zhduk pasi familja e tij refuzoi (apo vonoi) pagesën prej qindra mijëra dollarësh.
Por sa të tjerë kanë paguar…
Edhe ky koncept i ri i fjalës gjobë, që nuk kishte lidhje asfare me atë të vjetrin, filloi të vjetërohej me kalimin e kohës.
Erdhën kaçakët e misionit. Këta kanë të veshur në trup rrobën e misionarit, mbrojtësit të interesit publik, policit, prokurorit, tatimorit apo kontrollorit shtetëror.
Këta “dedektivë” publikë, sapo bëjnë zbulimin e një fakti të rëndësishem, kompromentues për një politikan, kriminel, funksionar i lartë shtetëror apo biznesmen (këta janë gjahu më i mirë sepse shpërblejnë mirë) i çojnë viktimës një mesazh. Përmes një ndërmjetësi apo shkurt me sms. Viktima e kap mesazhin.
Valë të dridhurash ia përshkrojnë trupin, drama fillon ta kaplojë. Opsioni i denoncimit vihet në balancë me gjobën dhe del ku e ku më i rëndë. Nëse denoncon skandali merr dhenë, policia njofton median dhe gjithçka merr fund. Oferta e gjobvënësit duket fort e pranueshme për xhepin e viktimës, mirë është të paguhet. Zakonisht gjobvënësit me rrobë shtetërore janë të arsyeshëm, gjuha e komunikimit me ta gjendet lehtë. Nën rrogoz filloi të merrte udhë biznesi i gjobave.
“Unë di diçka për ty, nëse paguan kjo nuk bëhet publike”.
Por koha e la mbrapa edhe këtë biznes. Ai sigurisht vazhdon jetën i qetë, por thjesht është legalizuar krejtësisht me përhapjen e gjobvënësve në të gjitha qelizat e shoqërisë. parimi eshte: Nëse do ta relativizosh një gjë bëje atë masive.
Korrupsioni galopant i qeveritarëve, drejtësisë, nëpunësve, policëve, funksionarëve shtetërorë çoi pashmangshmërisht edhe në korrupsionin e “misionarëve” të medias.
Për tu mbrojtur nga gjobat – së pari, por edhe për të vendosur gjoba- së dyti, biznesmenët krijuan gazeta, radio, televizione e portale. Preferoheshin gazetarë skifterë, nga ata që bubrrojnë brenda skutave të errëta të korrupsionit dhe krimit, nën petkun e luftës së pakompromis ndaj tij, e pastaj fshehin lajmin në kërkim të kompromisit!
Emisionet investigative filluan të shiteshin si gazetari profesioniste e nivelit të lartë kur në fakt janë kaçakët më të mëdhenj të gjobëvënies. Përmes dy a tre investigimeve ndaj disa qyqarëve të pambrojtur, krijojnë hijen e pakompromis të luftëtarit të interesit publik. Dhe pastaj i bëjnë nënën këtij interesi duke bashkëndarë plaçkën me banditët e korrupsionit.
Mes banditëve kriminelë dhe këtyre të medias ka vetëm një ndryshim. Ndryshimi, fjala vjen, mes Shullazit-një emër i njohur e i respektuar i botës së krimit dhe Top Channel emër po aq i respektuar në botën e medias, e bën fakti se ky i dyti e bën shantazhin haptas, në ekran, në sy të gjithë shqiptarëve të SPAK-istëve, gjyqtarëve, qeveritarëve, AMA-s, BKH-së dhe Kryeministrit. Madje Top Channel, ndryshe nga Shullazi, kërcënon hapur e pa iu dridhur zëri vetë Kryeministrin!
Doni shembuj? Ja tua jap më poshtë:
Deri në vitin 2018 kompania CFO Pharma, një kompani që udhëhiqej nga një njeri me gjurmë të errëta kriminale, i dënuar me vendim gjykate si i korruptuar e i shpallur më vonë i pafajshëm, ishte sponsor kryesor i emisioneve të TCH. Në vitin 2019, sponsori vendos të tërhiqet, fundja ato para nuk është se po i shtonin shitjet.
Po kush e lë se….
Menjëherë sulen kaçakët e Topit nëpër dyqanet e farmacive të kryeqytetit. Zbulojnë se ky ish-sponsori e shiska një produkt farmaceutik 18 herë më shumë sesa e ka koston (soludaminën). A thua nuk e kishte shitur aq edhe dy muaj më parë!
Denoncimi bëhet në prokurori dhe në Drejtorinë e Barnave. Për një kohë të shkurtër lajmërohen emisione investigative që do të çjerrrin maskën e hajdutëve të ilaçeve. Derisa një ditë të bukur në ekranin e Top Channel shfaqet emisioni “investigativ”:
“Një skenar intrige i Nadir Çaushollit”.
Ishte e pabesushme ajo që kishte ndodhur. Biznesmeni i ilaçeve, si një intrigant i pashoq, dërgon jë letër për Ministrinë e Financave në emër të autorit të programit investigativ Top Story. Emisioni vërteton katërcipërisht përfshirjen e Çaushollit në këtë intrigë, dhe, në fund të emisionit tregohen sesi intrigantë të tillë në kohën e komunizmit kanë përfunduar në burg!
Lufta aty përfundon për Çaushollin. Nuk ishte punë Shullazi kjo, këta të marrin erzin e të falimentojnë. Pas denoncimit në polici dhe rrezikut për burg vjen Pajtimi i Madh. Pak kohë më vonë u harrua Sulidamina dhe konsumuesit e shkretë e të stërvjedhur të saj, u harrua oledrohoti e intrigantet e letrave anonime.
Gjithçka ishte mirë e bukur!
Perkundrazi, kaçakët e misionit na lajmëruan një ditë të bukur, se CFO Pharma është kompania lider në tregun farmaceutik! Ky ndryshim linje editoriale, ndaj një hajduti e intriganti të shpallur botërisht, ndodhte para syve të Kryeministrit, Kryeprokurorit të SPAK, Kryetares së BKH apo Kryetares së AMA-s!
Por le të shohim pak me linqe se si u zhvillua kjo betejë:
Ja linku i parë sesi kaçaku mediatik merr anën e interest publik duke denoncuar vjedhjen galopante të CFO Pharma:
Ja edhe linku i dytë ku lajmëron gjobën që i vë Drejtoria e barnave:
https://www.youtube.com/watch?v=xëTl0aU3fdI
Ja edhe linku i denoncimit si intrigant letrash anonime:
Dhe pastaj në fund vjen dorëzimi: Ky hajdut e intrigant shpallet në të njëjtin Televizion kaçak si histori suksesi:
Menjëherë në ekranit e Televizionit kaçak mbërrijnë spotet televizivë të Çaushollit, hajdutit -intrigant më të suksesshëm që ka pasur Shqipëria!
Befas nga arkiva e Top Channel zhduket emisioni më i vërtetuar ndonjëherë i një intriganti që shkruan letra anonime. Kerkojeni emisionin Top Story të datës 21 Prill 2019.
Është error 404! Paçka se gjurma është lënë. Emisionin e plotë mund ta gjeni në daily motion te ky link:
Disa spote televizive të tmerrshme, ku, ndërmjet të tjerave, një djalë i ri i ankohet farmacistes se po i refuzohet kënaqësia më e madhe në jetë- të ushqyerit (!) dhe kjo i jep të njëjtin ilaç si atij tjetrit që ka nevojë të puthë dhe ka frikën se i vjen era e gojës, na ndotin ambinetin familjar çdo 10 minuta!
Ato janë dëshmia e hapur e një akti të pashembëllt gjobvënie që kapërdihet faqe gjithë audiencës shumë milionëshe.
Befas një ditë këta kaçakë mediatikë njoftuan në lajme se emisioni i tyre më i shikuar, kryekaçaku i emisioneve, Top Story, paska qenë një kryebandit! Me një fjalë të gjithë gjobat që i janë vënë një Çaushollit janë vënë pa dijeninë e pronarëve dhe ky, kryekaçaku, paska rrjepur biznesmenët. Kjo ishte thjesht një lajthitje momentale por me gjurmë të forta. Edicioni qendror informativ i TCH hapej me këtë grup të tmerrshëm hajdutëshe shantazhuesish që nën rrogozin e gjigandit mediatik paskan bërë kërdinë.
Këtë edicion lajmesh e sheh edhe Kryeprokurori i SPAK, edhe Kryeministri, edhe Kryetari i AMA-s. Por linku i atij edicioni të turpshëm, ndryshe nga çdo edicion lajmesh të TCH nuk gjendet në youtube. Kërkoni edicion lajmesh ora 19.30 datë 31 Mars 2022. Do të dalin tre edicionet e tjera por jo edhe ai i denoncimit. Megjithatë, munda të gjej një link tjetër akuzues. Është ky link:
Por Top Channel, ndryshe nga Shullazi e kompani, nuk njeh limite. Ai arrin të shantazhojë edhe vetë Kryeministrin e Shqipërisë, të gjithfuqishmin e këtij vendi, Edi Ramën! Nëse ju kujtohet në Gusht-Dhjetorin e vitit të kaluar, një valë sulmesh antiqeveritare por me interes të lartë public u ndërmorën në TCH!
Ja ku janë disa linqe që vërtetojnë atë që po them:
Mund të gjesh me dhjetëra kronika të TCH të asaj kohe që dukeshin si të shkruara në zyrat e Opozitës më radikale.
Befas vjen edhe një ndryshim i papritur. Sokol Balla, një gazetar i njohur për afërsinë me Ramën, promotori i luftës ndaj emisionit gjobvënës vetëm 6 muaj më parë, përzihet brutalisht nga Televizioni kaçak dhe në vend të tij emërohet bukuroshja Grida Duma, deputete e Partisë Demokratike (pasi jep dorëheqjen sigurisht).
Hapur ndjehej në opoinion se kjo ishte një fushatë kërcënimi ndaj vetë liderit suprem. Këtë Shullazi thjesht mund ta mendojë por jo ta bëjë. Për të bindur gjithë njerëzinë që kjo është kështu, ndihmon vetë Rama me një tweet ku akuzon gjobvënësit se po bëjnë politikë editoriale për të përfituar favore. Shqip po përdorin interesin publik për të përfituar gjoba! Pak më vonë, kryeministri nxjerr edhe një aplikim të Top Kaçakut ku kërkon 120 mijë Euro për të bërë një emision propagandë dhe e quan fushatën mediatike si shantazh!
Pra, Top Kaçaku po sulmonte vetë Madhërinë e tij, pa iu dridhur syri. Këtë e pohonte haptas Kryeminsitri.
SPAK-u dhe AMA vetem shihnin dyluftimin.
Befas një ditë braktisja e shqiptarëve nuk po ndodhte më dhe Shqipëria nuk po shkonte drejt autokracisë. Ditët e bukura me Kryeministrin u kthyen. Ai vjen si manar në studion e Gridës dhe rrëfen “të pathënat” e stërthëna.
Interesi publik befas u arkivua. Si kronika e gjobëvënësve. Mbetej vetëm kthimi i Ballës por për atë nuk pati nevojë se mendon vetë Grida. Shet më shumë me veshje opozitari.
Kryekaçaku i Shqipërisë është rikthyer sërish këto ditë. Duket gjoba e radhës është ndaj Klodian Allajbeut, shefit të industrisë spitalore. Po të vëresh Top Gridën këto kohë, sheh se e ka kap një interes i madh publik për dramat spitalore. Uroj t’i shkojë deri në fund. A do jetë Allajbeu si Çausholli që do dorëzohet pa kushte ndaj kryekaçakut mbetet për tu parë.
Por sfida është hapur.
P.S.
Harrova të shtoj.Ata që nuk janë të kapur dhe mendojnë si unë e bëjnë “share” shkrimin :). Faleminderit!