Arrestimi i Sali Berishës, në shtëpi apo qeli, ishte një veprim i pritshëm. Më dukej se po e zvarritnin qëllimisht deri sa të binte pesha politike e tij në minimum e pastaj të vepronin. 

Veprim diabolik.

A mu dhimbs? Padyshim! Nëse do kisha në dorë të bëja diçka për ta ndihmuar do e bëja pa asnjë hezitim.

Unë, ndryshe nga shumë të tjerë e shoh këtë denigrim të figurës së Berishës, këtë linçim publik dyvjeçar nën vringëllimin e prangave dhe “nongratës” si një strategji të caktuar të një elite politike përtej maxhorancës, për të diskretituar në të gjitha kuptimet, jo vetëm Berishën si person por SIDOMOS  për të nxirë me çdo mjet “periudhën e zezë” të sundimit të Veriut në hierarkinë më të lartë politike të Tiranës! Ka një mirëkuptim të heshtur të elitës politike, intelektuale, artistike dhe të aktivizmit civil për këtë linçim publik! 

Unë bash këtu e shoh thelbin e solidaritetit me Berishën.

A ka bërë gabime Sali Berisha? Me okë! A duhej larguar në kohën  e duhur dhe a tregoi mungesë instikti me zgjatjen e aktivitetit politik pas rënies në 2013-ën? Sipas meje po. Ka gabuar si derr kur në orën 5 pasdite të 21 Janarit 2011, kur protesta e opozitës së Ramës, po shkonte drejt fundit, nuk urdhëroi forcat e Gardës të përmbaheshin me çdo kusht! Por lejoi a urdhëroi të shpërthenin instiktet e gardistëve si të ishin njerëzit kaproj! Gabim i tmerrshëm! Gaboi shumë që pas skandalit të Metës nuk prishi koalicionin  dhe të shkonte në zgjedhje të parakohshme! Gaboi kur i lejoi fëmijët e tij të shfrytëzonin pushtetin e tij për t’u pasuruar. Gaboi shpesh në nismat e tij entuziaste e të pamenduara mirë, që nuk kishin kthim prapa, si marrdhëniet me pronarët e tokave apo nismat Shqipëria 1 euro. Nisma të cilat sot po i shfrytëzon kryemjeshtri për t’u dhënë miqve të tij. Etj etj.

Gabimi tjetër i madh i tij ishte vazhdimi në politikë edhe pas 6 Marsit. Sikur të dilte nga politika atë ditë, pasi iku edhe Basha,  ndoshta nuk do t’i kishte shpëtuar burgun por do të kishte shpëtuar nderin dhe dinjitetin. 

Lulzim Basha sipas meje është fajtori kryesor i shkatërrimit të Opozitës. Sepse i dha alibinë e lëvizjes Berishës. Në ditët e zeza të Berishës, pas shpalljes nongrata e largoi nga Grupi Parlamentar. Pa asnjë plan sesi do shkonte më tej puna. Njësoj si te djegia e mandateve apo bojkoti i zgjedhjeve. Berisha kishte nevojë për 1) Solidaritet dhe 2) Neutralizim. Dhe këto dyja arriheshin duke i thënë: I dashur Doktor, qenia jote në PD po e dëmton partinë ndaj unë jam i detyruar të kërkoj largimin tuaj. Por, për në shenjë solidariteti me ju do të largohem edhe vetë nga posti i kryetarit të partisë!

E imagjinoni sesi do paralizohej Berisha nga një veprim i tillë? Do t’i rrëzohej alibia e lëvizjes. Dhe ndoshta sot Basha do të rithirrej për të qenë edhe një herë Kryetar i opozitës! Por dinjitoz dhe i ndershëm.

A mund t’i shpëtonte Berisha burgut? Sipas meje jo. Vendimi për burg është marrë me 19 Maj 2021. Tashmë është në fazë zbatimi. Atë vendim e ka marrë administrata amerikane dhe nuk kanë këllqe prokurorët tanë për të mos e zbatuar. Unë këtë mendim kam pasur qysh atë ditë dhe vazhdoj ta kem edhe sot. Është koha këtu për ta sjellë edhe një herë materialin “Dashuria “tragjike” e Berishës me amerikanët”. E kam shkruar pak ditë pasi SPAK-u shpalli se zoti Berisha është marrë i pandehur.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *