Nga Arbër Zaimi
Para pak ditësh (21 janar), komandanti i përgjithshëm i FA norvegjeze gjenerali Kristofferson deklaroi se vendit të tij i mbetet shumë pak kohë, një, dy apo ndoshta tre vite, për të ndërtuar një mbrojtje të aftë për t’i bërë ballë Rusisë.
E pra, Norvegjia është vend me ushtri të fortë e pjesëmarrje aktive (në fakt drejtuese) në NATO, teksa pjesë të rëndësishme armatimi e pajisjesh të avancuara prodhohen në kantierët e atij vendi. Në Norvegji ka sistem të rekrutimit ushtarak mbarëpopullor për djem e vajza, ka sisteme të strehimit (bunkerë) të mjaftueshëm e të mirëmbajtur, dhe vazhdimisht testohen alarme ushtarake me sirena të forta e me mesazhe në telefon, që të sigurohen se vetëdija dhe përgatitja qytetare është në nivelin e duhur.
Po para pak ditësh, shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë britanike gjenerali Sanders deklaroi se Mbretëria e Bashkuar duhet të edukojë në aspektin ushtarak qytetarët e saj, të rrisë ndjeshëm numrin e ushtarëve aktivë dhe rezervistëve, por edhe buxhetin e armatimit e të rekrutimit, dhe të lexojë mirë rrezikun rus, që të mos përsëritet gabimi i vitit 1914, kur rreziqet u keqlexuan.
E pra, Mbretëria e Bashkuar është forcë nukleare, ndër ushtritë më të forta në botë, e dyta në NATO dhe ndoshta partnerja më e afërt e SHBA-ve.
Një tjetër ish-ushtarak i lartë britanik, tash hulumtues e analizues për një institut të rëndësishëm, u shpreh edhe ky gjatë janarit duke thënë se është e mundur që “dividendit të paqes” t’i jetë afruar fundi. Dividendi i paqes është mirëqenia buxhetore e vendeve evropiane (shteti i mirëqenies) bazuar te besimi se në rast agresioni rus, ato do t’i mbrojë NATO (pra Amerika). Ish-presidenti Trump është shprehur disa herë se NATO-ja mund të mos jetë më e domosdoshme për SHBA-të, teksa atje për shkak të polarizimit të brendshëm dhe situatës socio-ekonomike, është krijuar një masë e madhe njerëzish që kërkon “kthimin e Amerikës te vetvetja” që nënkupton më pak investim ushtarak, diplomatik apo humanitar në pjesët e tjera të globit.
Ndërsa politikanët kryesorë në Francë e Gjermani, presidentë e kancelarë, prej kohësh bëjnë thirrje për ngritjen e kapaciteteve ushtarake evropiane – pa shprehur ndonjë mosbesim në mbrojtjen amerikane, por duke treguar se mirë është të sigurohen për çdo rast.
Tek ne, edhe pse Vuçiqi ka treguar haptazi se po pret momentin e duhur ndërkombëtar për ta vazhduar planin e Millosheviqit, në vend se të diskutohet se a kemi sa duhet edukim e vetëdijësim mbrojtës për popullin, a duhet t’i kthehemi sistemit të rekrutimit, e a duhet të investojmë në vendstrehime e teknologji ushtarake, kemi zëra që thonë “mos flisni për luftë se tremben investitorët.