Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka akuzuar Partinë Socialiste të Shqipërisë dhe Partinë Demokratike të Shqipërisë për një marrëveshje të fshehtë mbi ndryshimet në Kodin Zgjedhor, e cila, sipas tij, synon goditjen e partive të reja.
Qori deklaroi se, ndonëse në publik shfaqen në përplasje të forta, PS dhe PD në prapaskenë bashkëpunojnë për të vendosur një prag elektoral prej 4–5%, me qëllim përjashtimin e subjekteve të reja nga gara.
Sipas tij, kjo lëvizje synon të ruajë dominimin politik të partive të mëdha dhe të pengojë alternativat që nuk pranojnë të hyjnë në koalicione parazgjedhore me to.
“Duan të vendosin një prag të lartë për të goditur partitë e reja që nuk futen në ‘vathën’ e tyre. Në publik duken sikur zihen, por në të vërtetë bashkëpunojnë për të mbajtur monopolin politik”, u shpreh Qori gjatë një interviste televizive.
Ai shtoi gjithashtu se ndaj partisë së tij ka një “braktisje mediatike thuajse të plotë”, duke e bërë edhe më të vështirë konkurrencën në skenën politike.
