Hoffenheimi nuk bën pjesë ndër klubet tradicionale të futbollit gjerman. Në fillim të viteve 2000, kjo skuadër garonte në kategorinë e pestë, ndërsa në vitin 2008 arriti për herë të parë promovimin në Bundesligë, ku që prej atëherë ka qëndruar vazhdimisht.

Në arenën evropiane, debutimin e bëri në sezonin 2017/18, ndërsa paraqitjen e vetme në fazën grupore të Ligës së Kampionëve e ka regjistruar në edicionin 2018/19. Në Ligën e Evropës ka marrë pjesë në sezonet 2020/21 dhe 2024/25.

Tashmë, për herë të pestë në histori, Hoffenheimi ka siguruar një vend në garat evropiane për sezonin 2026/27. Ekipi ka garantuar pjesëmarrjen në Ligën e Evropës, por objektivi mbetet edhe më i madh: kualifikimi në Ligën e Kampionëve.

Interesimi për këtë skuadër në Kosovë është rritur ndjeshëm falë pranisë së tre lojtarëve të rëndësishëm të përfaqësueses: Fisnik Asllani, Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari, të cilët janë shndërruar në figura kyçe për ekipin gjerman.

Në fitoren 2-1 ndaj Hamburgut në udhëtim, që vulosi një vend në Evropë, Asllani realizoi gol, ndërsa Hajdari kontribuoi me asist.

“Klubi nga fshati sërish në Evropë. Pas paraqitjeve në edicionet 2017/18, 2018/19, 2020/21 dhe 2024/25, Hoffenheimi është kualifikuar për garat evropiane për herë të pestë në historinë e klubit. Fitorja ndaj Hamburgut garanton renditjen në top-gjashtë të tabelës së Bundesligës”, thuhet në njoftimin e klubit.

“Kualifikimi evropian është një arritje fantastike dhe shpërblim i merituar për punën e madhe të ekipit, stafit dhe të gjithë të përfshirëve”, ka deklaruar drejtori sportiv, Andreas Schicker.

Ai shtoi se fokusi mbetet maksimal deri në fund të sezonit: “Janë edhe nëntë pikë për t’u fituar dhe ne mbesim të uritur. Gjithmonë synojmë maksimumin, ndaj përqendrimi është te ndeshja e së shtunës ndaj Stuttgartit.”

Pikërisht përballja me Stuttgartin pritet të jetë vendimtare për pozitën e katërt në Bundesligë, e cila siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve. Megjithatë, ekziston edhe mundësia që vendi i pestë të sigurojë një biletë për këtë kompeticion, në varësi të rezultateve të klubeve gjermane në garat evropiane.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *